Nga Xhesian Shazimani
Edhe pse SPAK e bëri kurban ish-drejtorin Evis Berberi, ARRSH nuk zë mend me procedurat e dyshimta të tenderimit. Ditën e djeshme ky institucion ka shpallur fituesit e 7 tenderave për disa akse kryesore të vendit me vlerë totale rreth 124 miliardë lekë të vjetra, ose 122.6 milionë euro.
Një prej këtyre tenderave është dhe ai për supevizion punimesh në zgjeimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë (Faza e Vll), me vlerë 211 milionë lekë të vjetra.
Në këtë procedurë kanë marrë pjesë 22 kompani dhe fitues është shpallur bashkimi i operatorëve “TRANSPORT HIGHWAY CONSULTING” & “ARABEL – STUDIO”, të cilët ishin reditur si oferta e 10 më e mirë.
Ndërsa 9 subjektet që kishin kërkuar më pak lekë për të mbikqyr punimet në këtë segment, janë skualifikuar nga gara.
Të skualifikosh 9 oferta më të mira për të shpall fitues të 10-ën, ka diçka që nuk shkon.
Për më tepër, subjekti “ARABEL – STUDIO” është në pronësi të Ana Nishku e cila ka qenë një nga të arrestuarit e SPAK për tenderin e bashkisë Bulqizë që i hëngri kokën Lefter Allës.
Në akuzën e ngritur nga SPAK, thuhej se “Ana Nishku që kishte kryedetyrën e mbikqyrjes së punimeve bashkë me drejtuesin teknik kanë përpiluar dokumente të falsifikuara gjatë zbatimit të kontratës duke pasqyruar faktin e rremë se punimet ishin kryer nga firma fituese në prokurim dhe për faktin se aktet që dokumentojnë kryerjen e punimeve dhe mbikqyrjen janë përpiluar në kohë të ndryshme nga data që pasqyrojnë realisht dokumentet e zbatimit”.
Tani si rrjedhojë e kësaj, lind pyetja: kur SPAK e ka kapur në flagrancë që falsifikon dokumente zonjën në fjalë, atëherë si ka mundësi që ARRSH i beson një tjetër tender të majm studios së saj?!