SPAK jep pretencën për kryebashkiakun e PS-së! Ja sa vite burg ka kërkuar

Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën për kryebashkiakun e PS-së, Eduard Duro, duke kërkuar nga GJKKO shpalljen e tij fajtor për veprën penale “shpërdorim detyre”.

 

SPAK ka kërkuar dënimin e tij me 1 vit burg, si edhe heqjen e së drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite.

Por nëse dënohet, Eduard Duro nuk rrezikon futjen në qeli, pasi përfundimisht u kërkua që ti konvertohej në 3 vite shërbim prove.

Kujtojmë që në dhjetor të vitit të kaluar Prokuroria e Posaçme dërgoi në GJKKO kërkesën për gjykim për kryebashkiakun e Devollit, Eduard Duro dhe 4 të pandehurit e tjerë, Astrit Seferkolli, Gazmend Haxhija, Gazmend Mali e Vojsava Bregu, të akuzuar për shpërdorim detyre.

Bëhet fjalë për pikë e karburantit “Genci Petrol”, e cila sipas SPAK, që prej vitit 2015 kur ka marrë licencimin në shkelje të ligjit e deri më tani, ka realizuar përfitime të padrejta.

Prokuroria e Posaçme informon se nga dhënia e lejes në vitin 2015 dhe në vijim, janë realizuar përfitime të padrejta nga kjo shoqëri.

Në kohën kur mbante detyrën e Administratorit të komanduar të Njësisë Qendër Bilisht, Vojsava Bregu mundësoi shoqërisë tregtare “Genci Petrol” sh.p.k, në 27 gusht të 2015 “për tregtimin me pakicë të karburanteve+GLN”, leje e cila sipas SPAK, ishte në kundërshtim me ligjin.

Ndërsa Eduard Duro, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Devoll, në bashkëpunim me zyrtarët e Sektorit të të Ardhurave dhe Liçencimit në Bashkinë Devoll, Gazmend Haxhija dhe Gazmend Malo dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Bashkisë Devoll, Astrit Seferkolli pajisën shoqërinë tregtare “Genci Petrol” sh.p.k, me autorizimin, datë 23.06.2020 “Për tregtimin me pakicë të karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës dhe vajrave lubrifikante, në stacionin rruga nacionale Bilisht-Kapshticë, kilometri 10, në afërsi të Doganës, Kapshticë”.

Subjekti “Genci Petrol”, sh.p.k. në kohën e dhënies së saj nuk ka qenë i pajisur me dokumentacionin ligjor të kërkuar; a. aktin e kontrollit, b. lejen e shfrytëzimit për stacionin e karburantit dhe c.autorizimin për hyrje-daljet në rrugë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, si rrugë interurbane dytësore.

Artikulli paraprak“Toyota Auris”/ Nis në GJKKO shqyrtimi i çështjes në seancë paraprake, roli i ish-kryeprokurorit të Vlorës dhe 4 të pandehurve të tjerë!
Artikulli tjetërShtetet e Bashkuar tërhiqen nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut! Trump: S’po udhëhiqet mirë! Ata nuk po e bëjnë punën