SPAK kërkon gjykimin e grupit të kultivimit të kanabisit në Shkodër

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të mërkurën më 21 gusht përfundimit e hetimeve dhë dërgimin për gjykim të një çështje penale në ngarkim të 23 personave të akuzuar për kultivim dhe përpunim të bimëve narkotike, mes të cilëve edhe 12 gra që punonin në parcelat me kanabis.

Në qershor të vitit 2022, policia lokale e Shkodrës zbuloi në fshatin Vallas të njësisë administrative Oblikë në Shkodër parcela të mbjella me rreth 32 mijë bimë narkotike të llojit Cannabis Sativa, si dhe ushtroi kontrolle në ambjente të tjera ku u gjetën 246 kilogramë kanabis në proces tharje.

Sipas prokurorisë, si organizator i kultivimit të bimëve narkotike akuzohet Arian Popa. Të pandehurit Arben Uruçi, Ardjan Tahiri, Samet Dahati, Besar Lejthiza, Izmir Dahati, Ermis Sela dhe Afrim Dahati provohen të kenë qenë pjesëmarrës në grupin e strukturuar kriminal.

Ndërsa Liljana Çopani dhe Vajdije Allamani akuzohen se kanë kryer procesin e përpunimit të bimëve narkotike, deri në përftimin e produktit përfundimtar dhe ato akuzohen vetëm për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Ndërkohë, në tetor po të vitit 2022 janë ushtruar kontrolle në dy banesat e vëllezërve Pjetër dhe Roland Gjoni, si edhe të babait të tyre në fshatin Bleran-Bardhaj, Njësia Administrative Rrethina, në Bashkinë Shkodër. Në banesat e tyre gjetur një serë e improvizuar me plastmas, brenda së cilës kanë qenë disa gra duke punuar. Po ashtu, janë gjetur dhe sekuestruar 86 kg lëndë narkotike e tharë dhe në proces tharje. Si organizator i kësaj veprimtarie akuzohet Pjetër Gjoni. Ndërsa të pandehurit Roland dhe Fabion Gjoni akuzohen se kanë qenë pjesëmarrës në veprimtarinë e kundërligjshme. Si pjesëmarrëse në këtë grup kriminal akuzohet dhe e pandehura Danjela Hasani, mbi të cilën rëndon dhe akuza “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Kurse të pandehurat Valbona Haka, Mimoza Hoti, Elida Doku, Hurme Bafti, Franga Gjini, Fatime Baftaj, Drita Çuni, Dorentina Hoxha, Blerina Meta, janë akuzuar vetëm për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim./reporter.al

Artikulli paraprakVendet e varfra po i ndalojnë importet e plehrave, ndërsa Shqipëria po bën të kundërtën
Artikulli tjetër“Bomba demografike me sahat troket prej dekadash në Evropë”/ DW: Qeveritë duan të rrisin moshën, kontribuesit kërkojnë fleksibilitet! Si mund të dilet nga kriza e pensioneve