SPAK dhe prokuroritë e rretheve gjyqësore duket se kanë një sfidë të fortë përpara referuar faktit se do të hetojnë krimet zgjedhore, duke tentuar të ndalin skenarët politikë për blerjen e votave.
Pavarësisht tendecave të politikës, SPAK dhe prokurorët e rretheve duhet të gjejnë mekanizmat së pari për të parandaluar një fenomen që cënon pothuajse çdo proces zgjedhor në Shqipëri dhe më pas për të çuar para drejtësisë ata që deformojnë votat.
Në hetimin për krimet zgjedhore, SPAK do të përdorë teknikat e posaçme të hetimit, përfshirë hetimet financiare dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, për të siguruar një hetim të shpejtë dhe efektiv të rasteve. Dhe në teknikat e posaçme të hetimit përfshihen nga gjurmimet te përgjimet apo infiltrimet.
Në këtë kuadër askush nuk mund të përjashtojë mundësinë që në shtabet e elektorale, ndoshta në jo të gjitha, të gjehen bashkëpunëtorë apo individë që do të jenë të gatshëm të denoncojnë skenarë të mundëshëm që synojnë deformimin e votës.
Gjithashtu në dispozicion do të jetë një numër telefoni emergjent, ku vëzhguesit e zgjedhjeve dhe institucionet që duan të raportojnë shkeljet ligjore përgjatë periudhës zgjedhore.
Por në dispozicion do të jetë edhe një adresë e-mail e dedikuar për raportime me fakte shoqëruese.
Gjithashtu nën monitorimin e SPAK do të jenë publikimet në rrejtët sociale, përfshi edhe denoncimet në media, mbi dyshimet e kryerjes se veprave penale të mundshme në kuadër të zgjedhjeve.
Në strategjinë e SPAK është parashikuar një platformë e dedikuar për denoncimin e rasteve. Në këtë kuadër, përmes platformës secili mund të bëjë denoncimin, ai do të verifikohet lidhur me saktësinë, dhe nëse ka indicie për të nisur një hetim, nis puna.
Raportohet se metodat që do të ndjekin grupet e SPAK të ngritura në të gjitha qarqet e vendit janë të njëjtat me ato që përdoren për zbulimin e organizatave kriminale, pra një hetim duke futur në lojë të gjithë metodat e mundshme hetimore.
Në këtë kuadër, Prokuroria e Posaçme do të bashkëpunojë ngushtë me Prokurorinë e Përgjithshme, zyrat e prokurorive pranë gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm, KQZ, Policinë e Shtetit, agjenci të tjera ligjzbatuese, organizmat ndërkombëtar, organizata të shoqërisë civile për të rritur efektivitetin e hetimeve për veprat penale në kuadër të zgjedhjeve.
Grupet hetimore në terren
Për të hetuar krimet zgjedhore, SPAk ka ngritur grupet në terren që përbëhen nga prokurorë të posaçëm, hetues të BKH-së, hetues financiarë, staf administrativ mbështetës i ndarë sipas 12 Qarqeve dhe 61 Bashkive. Secili grup drejtohet nga një prokuror i posaçëm.
Gjatë periudhës zgjedhore dhe ditës së votimit grupet hetimore në terren do të fokusohen në verifikimin e denoncimeve lidhur me raportimet e aktiviteteve të kryera nga subjekte të posaçme si dhe mundësinë e përdorimit të administratës apo dhe infrastrukturës publike në funksion të fushatës zgjedhore sipas ndarjes në qarqe, në kundërshtim me ligjin .
Grupet hetimore në terren do të kryejnë verifikime në varësi të denoncimeve për kryerjen e veprave penale në kuadër të zgjedhjeve të marra nga Struktura Qendrore, nga shoqëria civile, publiku, media ose nga referimet e marra nga policia e shtetit, si dhe subjektet private dhe shtetërore.
Gjatë periudhës zgjedhore grupet hetimore në terren koordinojnë dhe bashkëpunojnë edhe me drejtuesit dhe prokurorin e gatshëm të zyrave të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm, drejtuesit e drejtorive të policisë, drejtues të agjencive ligjzbatuese dhe institucioneve të tjera publike në nivel qendror dhe lokal si dhe vëzhguesit e zgjedhjeve, median, shoqërinë civile, në qarkun që ata mbulojnë.