Nga Preç Zogaj
Ideja e shumicës socialiste per ngritjen e një komisoni parlamentar me qëllim forcimin e rolit të Kuvendit ishte e vagëllt që kur u hodh në një mbledhje të tyre në vigjilie të sesionit të ri parlamentar.
Përpjekjet e disa deputetëve për ta shpjeguar e kanë bërë akoma më të paqartë, teksa i ngarkojnë një mishmash detyrash të llojit shto ujë e shto miell, deri në uljen qesharake të stekës, siç është përshembull mirëfunksinimi i administratës së Kuvendit !
Disa prej detyrave që i taksen Komisionit të ri Kuvendi i ka qëkurse është krijuar, por i kryen keq e shumë e keq. Siç janë për shembull ato të kontrollit parlamentar të qeverisë dhe institucioneve të tjera shtetërore. Në vend që të lehtësojnë në maksimun hetimin parlamentar, llogaridhënien, interpelancat, trasparencën e qevesisë dhe agjensive të saj në Kuvend, deputetët e shumicës bëjnë të kundërtën, e vështirësojnë në maksimum, ndërsa për vete, në vazhdën e një tradite të shëmtuar të shumicave të mëparshme, me shumë pak përjashtime, sillen si noterë lepe-peqe të qeverisë.
Nuk ka nevojë për komisione të reja për të bërë një ndryshim të madh në këtë rrafsh. Ka nevojë për mendësi të reja dhe rregulla që promovojnë formimin dhe integritetin e deputetëve, vartësinë e tyre nga vota e qytetarëve.
Kjo nuk realizohet me arnime që anashkalojnë shkaqet reale që e kanë zhvlerësuar në ektrem parlamentarizmin. As me truke që fshehin qëllime të tjera nga ato që thuhen.
Cili do të jetë specifikisht funksioni që nuk dublon asnjë tjetër i Komisionit të ri për të cilin po flitet kaq shumë? Askush nuk e ka thënë qartë deri tani. Në kushtet kur nuk ka asnjë sektor të jetës publike në vend që të mos jetë i mbuluar nga një komison parlamentar i përhershëm, të riut që mendohet të ngrihet i bie të jetë një komision i komisioneve, një superkomision!
Çdo gjë e vagëllt është burim hamendjesh lloj-lloj. Ndaj nuk është për tu çuditur që ideja e superkomisionit, rrjedhja aty këtu në media, qoftë edhe në formën e telefonit të prishur e asaj që dyshohet se kanë në mendje ideatorët, i ka dhënë zë opionionit dhe denoncimit se duke folur për nevojën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut nga cënimi i tyre prej drejtësisë, socialistët po kërkojnë zgjidhje që ti tregojnë vendin drejtësisë në kuptimin që t’i bëjnë të njohur të zotin. Dhe më tej, në një formë a tjetër, t’i mbajë dorën SPAK-ut, ta trembin, ta fenojnë në vrullin që ka marrë.
Emisarët e Ramës në media i kanë përgënjështruar pa forcë këto pandehma, që siç e thashë, ushqehen e do të vazhdojnë të ushqehen piksëpari nga paqartësia për Komisionin ri.
Truku është por nuk shihet, thotë një shprehje italiane. Në gëjrat e paqarta gjej shpeshherë më shumë qartësi se në gjërat e qarta, nënvizonte filozofi gjerman Frederik Niçe. Superkomisioni për të cilin po flasim është një ilustrim i mirë i kësaj sentence të hollë.
Vetë ideja, vetë mjergullimi i saj, vetë filtrimet publike se drejtohet kundër SPAK dhe drejtësisë së re janë një testim pa dalë në skenë i reagimit të mjedisit politik dhe agorës publike ndaj hedhjes së gurit.
Njeherësh, një lloj mesazhi po nga prapaskena, duke dashur t’u kujtojnë prokurorëve dhe gjyqtarëve kodin e traditës akoma të freskët të nënvendosjes së pushtetit gjyqësor ndaj pushtetit politik.
Krerët e kastës politike plurale solidare të tranzicionit në pushtet dhe në opozitë nuk heqin dorë nga pretendimi dhe synimi për të mbetur mbi ligjin dhe drejtësinë apo për ta shmangur atë. Sidomos në kushtet kur raftet e tyre mbajnë skelete krimesh apo “thesare” të korrupsionit, që janë venë kur nuk është ditur e nuk është pritur të ndodhte kjo që po ndodh me hetimet pa tabu.
Mirë ish zyrtarët e korruptuar të qeverive të mëparshme të PD-së nuk shihnin larg dhe ndiheheshin të përjetshëm në injorancën e tyre, po këta të PS që startuan, vazhduan dhe vazhdojnë në qeverisje paralel me miratimin dhe zbatimin e reformës në drejtësi?
Si është e mundur që këta e kanë lyer kaq shumë gishtin, ndërsa SPAK po shfaqej dhe po konsolidohej në skenën e historisë? Mos në subkonsh kanë menduar se drejtësia e re do të kapë vetëm ata të palës tjetër, zyrtarët e lartë të ish qeverisë?
Mos e kanë mendur se reforma është sa për sy e faqe dhe do të vdesë në zbatim si plot nisma të tjera ligjore të votuara me fanfara si ngjarje historike?
Mos kanë kujtuar se amerikanët nuk do ta ruajnë protagonizmin edhe në zbatimin e kësaj reforme, dhe ata, socialistët e Ramës, në një mendje me opozitën anti-SPAK të Berishës dhe Metës, do t’ja gjenin anën t’ja përdridhin lozën rrugës, në ecje e sipër, duke përfituar nga shfokusimet dhe hiatuset e politikës amerikane dhe europiane në Shqipërinë e vogël, shfrytëzimi i të cilave është mjeshtëria e vetme e politikanëve dinakë në bajrakun tonë. (Gjë që i ka marrë e do të vazhdojë ti marë në qafë në afat të mesëm e të gjatë, duke qenë se partnerët strategjikë, SHBA, Britania e Madhe dhe BE, edhe kur merren me çeshtje të mëdha, siç është Lufta e Ukrainës apo Lufta në Gaza, e mbajnë gjithnjë një sy nga rajoni ynë, nga Shqipëria jonë dhe kthehen me kohë dhe agjendë të plotë në rastin më të pare).
Ëndrrat dhe synimet për ta devijuar produktin e reformës në drejtësi në shtratin e vjetër të drojës dhe vartësisë de fakto nga pushteti politik janë shërbyer për një mori episodesh të dukshme e të padukshme gjatë viteve të fundit. Në evoluimin e tyre, këto synime e nxorën zbuluar edhe kryeministrin Edi Rama, duke e venë në anën tjetër të litarit në raport me amerikanët, tashmë jo si kalorësi, por si penguesi i fshehtë i një drejtësie efektive që nuk njeh mite, që nuk i ndan subjektet e ligjit penal në të nënës dhe të njerkës. Ngjarja që e nxori në dritë për mbarë publikun e gjerë këtë konflikt është pjesmarrja pa precedent e ish-ambadasores së SHBA, Juri Kim, në mbledhjen per zgjedhjen e kreut të SPAK, ku u pa ashiqare se ishte në lojë premtimi i SHBA “askush mbi ligjin” dhënë popullit shqiptar, reputacioni i tyre përballë kulisave dhe lojërave perfide të aktorëve politikë vendas.
Nuk është e papritur, madje do thosha është fiziologjike, që kush ka një pozicion në politikën e lartë dhe ka frikë nga hetimet të jetë i shqetësuar që “përbindshi” nuk është nën kontollin e tyre dhe të bëjë gjithë çfarë është e mundshme për ta shfryrë, trembur, frenuar, penguar .
Si? Duke hapur fjalë apo duke hedhur në agorë komisione gjysëm reale e gjysëm kimerike që me demek do të fusin duart në një formë tjetër në ngrehinën e SPAK-ut dhe drejtësisë e re.
Me shpresën se kjo zhurmë dhe këto manovra me top e pa top do të spostojë ekulibra brenda këtyre institucioneve të reja, duke nxitur e shtryrë në prishaqejfe e veprime në kontrapedal njerëzit që i mendojnë të tyret aty brenda.
Në këtë mënyrë do duan të joshin e ti hedhin karremin pjesës anti-SPAK të opozitës, që është mjaft e motivuar edhe pa ketë, por duke parë zgjerimin e frontit sigurisht që merr edhe më shumë zemër në intifadën e saj. Merret vesh se nuk janë të motivuar nga ndonjë shqetësim i karakterit profesional apo shoqëror, por thjesht kanë frikë për vete. Ndaj edhe luftën kundër SPAK e bëjnë edhe për të prenotuar reklamimin se po përndiqen në shenjë hakmarrjeje politike në momentin kur të merren nën hetim.
SPAK nuk është jashtë kontollit, nuk është mbi ligjin. SPAK nuk është i pagabueshëm. Por SPAK i prin shpesës së “askush mbi ligjin”, së paku në rrafshin e hetimeve të mungura për dekada në sferat e larta, po bëhet e do të bëhet një normalitet në Shqipëri si në mbarë boten demokratike. Drejtësinë pastaj e ka gjykata. Ndaj përparësi absolute në ketë kohë ka përkrahja dhe inkurajimi i tij pa kushte.