“SPAK nuk kontrollohet nga askush”, ambasadori i BE-së fut në “ankth” politikën: Puna e Prokurorisë së Posaçme sapo ka filluar!

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato e ka përshkruar kreun e SPAK, Altin Dumani si njeri me integritet të lartë, pa ndonjë anësi politike. Diplomati europian vlerësoi punën e bëri deri më tani nga Prokuroria e Posçme, tekasa la të kuptohet se ka vend për përmirësim.

Gonzato hodhi poshtë të gjitha akuzat se SPAK ka prapavijë politike apo se drejtohet dhe ndikohet nga qeveria. Për kreun e delegacionit të BE-së mënyra se si funksionon SPAK-u nuk mund të kontrollohet nga qeveria.

Ka kryebashkiakë nga e majta dhe e djathta që janë të paditur, që po hetohen. Unë nuk shoh ndonjë anësi të veçantë politike në mënyrën si po vepron SPAK-u. Unë e kam takuar zotin Dumani, është njeri me integritet të lartë. Ai po bën punën e tij, nuk kërkon vëmendje, nuk kërkon famë. Ai thjesht po bën punën e tij. Dhe siç thashë më parë, mendoj se duhet t’i lejojmë të bëjnë punën e tyre. Dhe sigurisht, duhet bërë në kuadër të shtetit ligjor. Ata duhet të respektojnë procedurat e kështu me radhë, gjithçka është e qartë. Kështu që unë nuk dua vërtet të komentoj për insinuatat se SPAK-u është i drejtuar politikisht. Gjithçka që mund të them është se reforma në drejtësi futi masa mbrojtëse që mbrojnë institucionet gjyqësore nga ndërhyrjet politike. Nuk e kuptoj se si mënyra se si funksionon SPAK-u mund të kontrollohet nga qeveria. Kaq mund të them”, tha Gonzato në emisionin “Çdo Kënd” në A2 CNN.

Më tej, ambasadori thekson se duhet t’u japim pak kohë institucioneve të reja të drejtësisë për t’u konsoliduar dhe për të arritur rezultatet që priten. Gonzato tha se SPAK nuk mund të merret me çdo çështje të mundshme, pasi ata janë krijuar posaçërisht për korrupsionin dhe krimin e organizuar. Gonzato paralajmëron se me kalimin e viteve dhe konsolidimin e SPAK, aksionet do të jenë më të dukshme dhe më efektive.

Ka disa rekomandime që janë pjesë e gjithë procesit të anëtarësimit, procesit të shqyrtimit, dhe ato kanë të bëjnë me rritjen edhe më tej të pavarësisë së sistemit gjyqësor, rritjen e burimeve, kapacitetit, për shembull, për të kryer hetime financiare në mënyrë efektive. Pra, ajo që thoni, mendoj unë, është një tregues se me të vërtetë SPAK-u po përballet me një ngarkesë të madhe pune dhe se nuk duhet të harrojmë se ky është një institucion i ri. Ata sapo kanë filluar. Ne do të shënojmë të premten, besoj, pesë vjetët e SPAK-ut në detyrë. Pra, duhet t’u japim pak kohë këtyre institucioneve të reja për t’u konsoliduar dhe për të arritur rezultatet që priten. Unë ndonjëherë shqetësohem se pritshmëritë që njerëzit kanë ndaj SPAK-ut janë paksa joproporcionale edhe me kapacitetin e tij. Ndonjëherë, shoh njerëz që i referohen rasteve të SPAK-ut që në fakt duhet t’i shkojnë drejtësisë së zakonshme, për shembull. Pra, duket sikur ata do të shpëtojnë gjithçka dhe të gjithë. Pra, SPAK ka një mandat specifik që merret me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Mendoj se ata kanë arritur rezultate të jashtëzakonshme edhe në fushën e krimit të organizuar. Ne nuk flasim mjaftueshëm për këtë. Ata kanë krijuar bashkëpunim vërtet të shkëlqyer me agjencitë evropiane ligjzbatuese, me Europolin, por edhe me ndërkombëtarët, me Interpolin, me agjencitë në Amerikën e Jugut për trafikun e drogës. Pra, mendoj se po bëjnë shumë, për të qenë i sinqertë. Thjesht duhet t’u japim kohë. Dhe, sigurisht, është edhe çështje e konsolidimit të praktikave të tyre të punës, për të arritur nivelin e profesionalitetit që u nevojitet. Më vjen shumë mirë, për shembull, që zëvendësdrejtori i BKH-së, hetuesve, është emëruar tani, dhe ata mund të zhvillojnë tani policinë gjyqësore, pasi kjo do të rrisë edhe kapacitetin e SPAK-ut për të hetuar shpejt dhe me efektivitet rastet që i referohen”, shtoi ai.

Ndërsa sa i takon deklaratës shqetësuese të kreut të SPAK për ata që kanë kaluar vetingun, Gonzato theksoi që institucionet gjyqësore duhet të kenë mekanizmat e tyre të brendshëm që sigurojnë llogaridhënien e stafit gjyqësor.

Duhet të sigurojmë që pas këtij revolucioni, për shkak se Vetingu ishte me të vërtetë një masë e ashpër, por e nevojshme, duhet të vendosim një sistem që siguron rregullisht integritetin e personelit gjyqësor. Pra, padyshim kjo është diçka që duhet parë dhe për të cilën duhet të marrim masa. Ne po japim mbështetjen tonë të plotë për institucionet e pavarura të drejtësisë për ta bërë këtë. Ajo që është e rëndësishme është se kur flasim për llogaridhënien e stafit gjyqësor, duhet ta kombinojmë atë me pavarësinë. Pra, ajo që duhet të arrijmë është që institucionet gjyqësore të kenë mekanizmat e tyre të brendshëm që sigurojnë llogaridhënien e stafit gjyqësor. Unë nuk e shoh këtë përgjegjshmëri të ndodhë në lidhje me dy elementët e tjerë ose me dy shtyllat e tjera të shtetit, pra legjislativit/parlamentit dhe ekzekutivit. Kështu që ne duhet të ndihmojmë autoritetet e pavarura gjyqësore të vendosin mekanizmat e nevojshëm. Ka edhe agjenci të tjera që mund të ndihmojnë. HIDACI, për shembull, është agjencia që duhet të kontrollojë rregullisht asetet e nëpunësve civilë. Pra, ka një numër lojtarësh që mund të luajnë rolin e tyre në këtë drejtim. Por ky është padyshim një aspekt i rëndësishëm”, u shpreh ai.

Gonzato foli edhe sa i takon çështjes së Olta Xhaçkës. Edhe pse Komisioni i Venecias dha opinionin e kërkuar nga kryetarja e Kuvendit lidhur me mandatin e deputetes Olta Xhaçka, ku thuhet se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim për këdo dhe këtë të drejtë ia ka njohur Kushtetuta e vendit, palët e kanë interpretuar këtë qëndrim në mënyra të ndryshme.

Por për Gonzaton, politika dhe Kuvendi duhet t’i zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa në Shqipëri sipas tij duhet të rivendoset ekuilibri kushtetues.

“Është një çështje e rëndësishme për momentin. Duhet ta keni vënë re që në raportin e vitit 2024 dhe në konkluzionet e Këshillit, pra një dokument që miratohet jo nga Komisioni por nga Shtetet Anëtare, ka një reference të qartë ndaj nevojës për t’i qëndruar vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo çështje duhet parë me shumë kujdes. Ju vetë iu referuat opinionit të Komisionit të Venecias, ku theksohet parimi i besnikërisë kushtetuese, ndërsa për pjesën tjetër u takon autoriteteve shqiptare të vendosin. Por mendoj se duhet të rivendosim qartësinë dhe të rivendosim ekuilibrin kushtetues”, përfundoi ambasadori i BE.

Artikulli paraprakRrëzimi i mitit gjerman! The Economist: Nga një ekonomi në lulëzim, në të dëshpëruar, si modeli i biznesit po kriset
Artikulli tjetërRama dhe Berisha mbajnë pengë Shqipërinë!