SPAK përballë politikës, Mërtiri: Punë e jashtëzakonshme, shumë zyrtarë të frikësuar se do të përfundojnë pas hekurave

Pesë vjet nga fillimi i punës së Prokurorisë së Posaçme shumë gjëra kanë ndryshuar. Sjellja e politikës ndaj SPAK është bërë edhe më e ashpër.

Për të diskutuar më shumë rreth arrestimeve dhe punës së bërë nga SPAK, në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, me moderatorin Erion Zeqiraj ishte analisti Ergys Mërtiri.

Mërtiri tha se SPAK në 2 vjet e pak ka bërë një punë të jashtëzakonshme, teksa renditi arrestimet e politikanëve.

Analisti u shpreh se në 30 vjeçarin e parë, SPAK punoi me ritme të ngadalta, por me ardhjen në krye të Z.Dumanit gjithçka ndryshoi.

Ergys Mërtiri shtoi se politika është përpjekur të minojë SPAK-un duke e shantazhuar dhe kërcënuar si dhe duke i nxjerrë  një mori pengesash.

Intervista e plotë:

-Si e shihni punën e SPAK në këto pesë vjet?

Mërtiri: E jashtëzakonshme. Në 30-vjeçarin e parë punuan shumë ngadalë. Nuk kishin as godina, pra kishin probleme në ndërtim. Me momentin kur Dumani erdhi në krye, brenda 2 viteve e ca janë bërë punë të mrekullueshme, të cilat as nuk ishin imagjinuar më parë. Janë arrestuar ministra dhe ish-ministra. Sot kemi në arrati një ish-zv.kryeministër dhe një sërë politikanësh të lartë. Të gjitha këto kanë krijuar një precedent të ri, i cili është precedenti i ndëshkueshmërisë. Të gjithë janë të frikësuar se SPAK mund t’u trokasë një ditë dhe t’i çojë mbrapa hekurave. Kjo ka zgjuar shpresë. Kjo lind një politikë të re duke zëvendësuar të vjetrën.

-A është përpjekur politika të minojë në një farë mënyre punën e Prokurorisë së Posaçme?

Mërtiri: Sigurisht që po, edhe pozita, edhe opozita. Berisha është përpjekur ta minojë duke e shantazhuar hapur, duke e kërcënuar, ndërkohë që Rama i ka nxjerrë një mori pengesash dhe e ka sulmuar institucionalisht. Të gjitha institucionet shtetërore nuk bashkëpunojnë me SPAK, dhe kjo është denoncuar nga vetë Prokuroria e Posaçme. Sidomos Policia e Shtetit bashkëpunon më së pakti me SPAK dhe, përkundrazi, i krijon një mori pengesash. Rama i ka ulur buxhetin SPAK-ut, nuk i plotëson kërkesat për shtimin e numrit të hetuesve, prokurorëve dhe gjyqtarëve. Rama duket kundër SPAK-ut. Por, mbi të gjitha, rasti i veçantë është Komisioni Xhafaj, që duket se Rama e ka ngritur pikërisht për të penguar SPAK, madje edhe për ta shuar atë. Kjo ka bërë që të kemi reagime nga ndërkombëtarët, të cilët mbrojnë SPAK.

-Pse ndodh ky sulm ndaj SPAK, kur kanë qenë po këta politikanë që janë vendosur në rresht për të votuar këtë drejtësi të re? Nuk i prisnin këto lloj arrestimesh, apo mendonin se do ishin të paprekshëm?

Mërtiri: SPAK është vendosur nën një presion të madh ndërkombëtar, dhe politikanët e kanë votuar me shpresën se do të mund t’i shpëtonin drejtësisë, duke menduar se mund të kapeshin të tjerë dhe jo ata. Kjo shpresë i ka mbajtur gjallë. Politika ka shpresuar se do t’i mbijetojë këtij procesi në dy mënyra: së pari, qeveria ka menduar se, me kërcënime dhe duke e ekspozuar SPAK si një instrument të saj, mund të shmangë hetimet. Së dyti, ka pasur shpresën se SPAK do të ishte në anën e saj.

Exit mobile version