“SPAK po cënon interesa miliona dollarëshe”/ Daci: Si lufta e anti-mafias italiane

Juristi Jordan Daci është shprehur se për herë të parë drejtësia në Shqipëri po godet ‘të paprekshmit’.

Komentet Daci i bëri në Euronews Albania, ku tha se SPAK po cënon interesa prej qindra milonë dollarësh të grupeve kriminale dhe politikanëve të mëdhenj.

Po ashtu ai tha se lufta që SPAK po bën ndaj krimit në Shqipëri, ka ngjashmëri me luftën e anti-mafias italiane.

Besoj se në 30 vite ky është momenti i vetëm që prokurorët mund të ndihen të kërcënuar. Për shkak se gjatë 30 viteve nuk ka patur kërcënime të mirëfillta ndaj prokurorëve apo gjyqtarëve. Sepse politika dhe gjyqësori nuk kanë prekur ata që i kemi quajtur si të fortë.

Për herë të parë po vihet dorë mbi ata që ishin të paprekshëm. Cënohen interesa marramendëse qindra miliona dollarëshe. Prekin lidhjet e rëndësishme të politikës, me anë të të cilave politika është mbajtur gjallë. Jemi në një fazë që i ngjason luftës që nisi anti-mafia italiane me fillimet e saj, edhe pse sot e kthyer në një kontekst kohor krejt tjetër.

Në këtë kuptim ata padyshim që janë objekt i mundshëm i sulmeve. Por është detyrë e prokurorit që të përballet me këtë pjesë përfshi edhe atë të gjyqtarëve. Shteti ka treguar mbështetje të nevojshme për prokurorët, me mbrojtje dhe logjistikë”, tha Daci.

Artikulli paraprakAlfrida Marku: 208‭ ‬mln euro të planifikuara për t’u shpenzuar përgjatë vitit 2023 në 61 bashkitë e vendit, nuk janë realizuar
Artikulli tjetërVeliaj nën hetim pasuror, Lala: SPAK ka sekuestruar telefonat e personave të afërt të Arjola Xoxës