Nga Ermal Peçi
Përafërsisht një vit më parë, në një prej analizave të shumta politike të cilat shkruaj për arsye të profesionit, shkruaja Mazel Tov SPAK! Mazel Tov hebrahisht do të thotë Paç Fat, e cila nënkuptonte, se rruga që kishte nisur SPAK do të ishte një rrugë shumë e vështirë që do të kishte nevojë edhe për fat.
Rruga që ka nisur SPAK por edhe GJKKO është vërtetë maratonë peripecish, sepse po përballet me trekëndëshin politik Rama-Berisha-Meta, të cilët kanë gëzuar e gëzojnë një pushtet politik absolut, i cili fijet i ka pasur të lidhura jo vetëm me botën politike por edhe atë kriminale, të cilat po na faktohen nga përgjimet Sky Encro Chat.
Arrestimi i Veliajt një goditje shumë e fortë nga SPAK, i cili e rrëzoi edhe propagandën e zërave kundër institucionit të drejtësisë. Një goditje e cila shkund themelet e Partisë Socialiste dhe Edi Ramës, por që mbi të gjitha ju rrëzoi maskat.
Të detyruar nga prangat që kërcitën mbi numërin dy të PS, ai që shikohej si kryetari në hije i PS pas largimit të Ramës, ka sjellë jo vetëm një paqartësi por ka mbjellë edhe frikë se kush mund të jetë i radhës.
Në këtë “mort” të rënë mes grupit parlamentar të PS, fytyrave të vrenjtura e të xhindosura, Edi Rama lëshonte kërcënimet dhe paralajmërimet mbi SPAK. Ai që deri dje rrihte gjoksin, se Amerikanët kishin sjellë Noc Rokun dhe se pa atë SPAK & GJKKO nuk do të ishin krijuar.
Njoftimi për mediat i ditës së sotme nga SPAK tregoi edhe një herë, se sa penguese është Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, jo vetëm në bashkëpunim me këto institucione por tashmë edhe për t’i garantuar sigurinë përballë intimidimit dhe presionit që zhvillonin në dyert e GJKKO-s mbështetës të Erion Veliajt.
Njoftimi i SPAK ditën e sotme tregoj për grusht shtetin ndaj drejtësisë dhe shqiptarëve nga një instrument i qeverisë, i cili drejtohet nga PS dhe njërëz të emëruar nga Rama.
Sot Rama-Berisha dhe Meta kanë dal hapur publikisht bashkë me zë e me figurë teksa çirren e kërcënojnë, se duan ta shpërbëjnë SPAK, të vetmin institucion ku shqiptarët besojnë. Prandaj shoqëria shqiptare sot duhet të jetë në alarm nga klasa politike e trazicionit 34 vjeçar, sepse siç thoshte dhe filozofi Francis Bacon “Në qoftë se ne nuk do të kujdesemi për drejtësinë, drejtësia nuk do të kujdeset për ne!”