SPAK sekuestron një pronë të Erion Veliajt dhe Ajola Xoxës në zonën e ‘Kodrës së Diellit’

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka sekuestruar një pronë të kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, e cila ndodhet me masë sigurie “detyrim paraqitje”.

Prona e sekuestruar ndodhet në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë. Organi i akuzës bën me dije se “ekzistojnë të dhëna konkrete që të çojnë në dyshimin e arsyeshëm se shtetasit nën hetim Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa kanë konsumuar edhe elementët e veprës penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim.”

Sipas SPAK, nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se Veliaj dhe Xoxa kanë interesa pasurore faktike mbi dy pasuri (njëra prej të cilave shtesë pasurie), të cilat janë fqinje me apartamentin që ndodhet në Selitë, (rezidenca Kodra e Diellit), ku aktualisht këta shtetas jetojnë.

NJOFTIMI I SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal Nr. 27 të vitit 2024, që bën fjalë për veprat penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 260, 245, 287/2, 257/a/2, 305/b e 301 i Kodit Penal.

Pas kryerjes së veprimeve hetimore në kuadër të këtij procedimi penal, Prokuroria e Posaçme ka arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete që të çojnë në dyshimin e arsyeshëm se shtetasit nën hetim E. V. dhe A. X. kanë konsumuar edhe elementët e veprës penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal. Për këtë shkak, më datë 20.05.2025 emrat e këtyre shtetasve janë regjistruar në regjistrin e njoftimit të veprave penale, duke i atribuuar veprën penale cituar më lart.

Në vijim, me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme të datës 20.05.2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 342 Akti datë 22.05.2025 ka vendosur:

1. Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, mbi pasurinë e paluajtshme:
Pasuria nr. dhe shtesë me numër pasurie, ‏regjistruar në ASHK në emër të subjektit tregtar “A. K.” shpk;

Nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasit nën hetim E. V. dhe A. X. kanë interesa pasurore faktike mbi dy pasuri (njëra prej të cilave shtesë pasurie), të cilat janë fqinje me apartamentin që ndodhet në Selitë, (rezidenca Kodra e Diellit), ku aktualisht këta shtetas jetojnë.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Artikulli paraprakAlastair Campbell dhe verifikimi minimal i fakteve
Artikulli tjetërMandat dhe miliona nga qyetarët/ Misioni i Vasil Llajos, që thotë se ka ardhur për njerëzit në politikë