“SPAK, shpresa e vetme e shqiptarëve”/ Mërtiri: Rama s’është rehat, mund t’i asgjësohet struktura e blerjes së votës

Politologu Ergys Mërtiri, i ftuar në emisionin Open në News 24 tha se Erion Veliaj ëhstë një fuqi elektorale për Edi Ramën. Ai u shpreh se Rama mund të ketë vështirësi në këto zgjedhje, mund të mos fitojë 71 mandate dhe do duhet që të bëjë koalicion.

“Veliaj është fuqi elektorale për Ramën. Veliaj gjithashtu ka qenë një projekt i qartë politik, i financuar. Veliaj i ka shërbyer shefit të vet Edi Ramës. Rama mund të ketë vështirësi në zgjedhje, ndoshta nuk mund të bëjë dot 71 mandate dhe do detyrohet të bëjë koalicion. Këtu pastaj mund të hapet loja politike dhe mund të krijohet pol i tretë, që hap rrugën, për të thyer hemogjeninë e të dyja palëve. Partitë që janë pro SPAK duhet të jenë pol i tretë. Rama e Berisha janë bashkë, janë e njëjta gjë dhe po mbajnë sistemin, por te partitë e reja e keqja është se nuk po bashkohen dot. Por do ishte mirë të jenë një pol dhe t’i bëjnë barrierë PS-së dhe PD-së. Nëse në zgjedhje askush nuk bën dot 71 mandate, mund të bashkëpunojnë. Rama e Berisha janë bashkë, sepse shumë gjëra i kanë bërë bashkë”, tha Mërtiri.

Sipas tij, Ramës i ka dalë SPAK-u nga kontrolli. Ai shtoi se Rama nuk ndihet rehat, sepse mund t’i asgjësohet industria e blerjes së votës nga ana e SPAK.

“PS dhe Rama janë më të dobët sot se kurrë. Goditja e Veliajt e kanë nxjerrë Ramën një lider të dobët, që nuk mbron dot krahun e djathtë, prandaj u bë si i tërbuar. SPAK është bërë nga ndërkombëtarët që të krijojë realitet të ri politik. Edi Rama ka ngritur Komisionin Xhafaj sepse i ka dalë SPAK-u nga kontrolli. Këta kanë menduar se do ta kontrollojnë SPAK-un, por Struktura e Posaçme nuk pyet për askënd. SPAK është kërcënim i madh për këtë klasë politike, sepse po godet në nivele të larta të pamenduara nga politikanët, sepse këta janë mësuar që të jenë të paprekshëm. Rama nuk është rehat, sepse industria e vjedhjes së votës mund të asgësohet. SPAK është e vetmja shpresë për vendin. Loja e këtyre është që në skenën politike të jemi ne e mos të vijnë të tjerët. Berisha po lufton që ai të jetë kryetari i opozitës”, deklaroi ai.

Duke folur për primaret në PD, Mërtiri vlerësoi se në PD nuk janë bërë ndonjëherë zgjedhje të brendshme të ndershme. Ai vlerësoi se me anë të primareve, Berisha do të zgjedhë njerëzit më besnikë.

“Këto primare duket sikur çojnë në PD njerëzit më radikalë që janë pranë Partisë Demokratike. PD po shkon drejt fondamentalizmit dhe kjo e bën të humbasë elektorat, sidomos në elektoratin gri. Ne e dimë se në PD nuk janë bërë zgjedhje të ndershme. Me primaret, kryetari zgjedh ato që do me proces të manipuluar, që atë që do kryetari, bën sikur e do anëtarësia. Sali Berisha do të zgjedhë njerëzit me besnikë, ai nuk ka synim që të mundë Ramën, por të mbajë sa më shumë besnikët rreth vetes, ka hall të mbajë partinë”, përmbylli Mërtiri.

Exit mobile version