“SPAK të mos vonojë hetimet për lidhjet e politikës me krimini”, Basha: Opozita duhet të luftojë për qytetarët e jo për Berishën e Metën

Kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në një intervistë për gazetën “Panorama” theksoi se qëndrimi i gjatë i mazhorancës në pushtet vjen për shkak të drejtësisë së munguar në këtë vend për 34 vjet. Ai e cilësoi jetike forcimin e drejtësisë për të ndëshkuar korrupsionin, shitblerjen e votave dhe lidhjet e qeverisë me krimin.

Basha gjithashtu tha se një shkak tjetër është edhe dobësimi i opozitës, duke theksuar se qytetarët kanë nevojë për një opozitë që lufton për interesat e tyre, jo për kryetarët e vetëshpallur.

Sipas tij, qeveria aktuale mbahet në pushtet nga pazaret mes mazhorancës dhe një pjese të opozitës. Ai shprehu besim se zgjedhjet e ardhshme qytetarët do të mundësojnë ndryshimin që vendi ka nevojë.

Pjesë nga intervista:

Pjesë nga intervista e kreut të Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, për gazetën “Panorama”:

Pyetje: Një mazhorancë së cilës i janë arrestuar ishministra dhe deputetë, e akuzuar për lidhje me krimin dhe korrupsionin, me skandale të herëpashershme, sipas jush si qëndron ende në pushtet…?

Lulzim Basha: Për shkak të drejtësisë së munguar në këtë vend për 34 vjet. Sepse është drejtësia, ajo që çon pas hekurave ata që abuzojnë me pushtetin dhe zgjedhjet, jo partitë politike. Është drejtësia, ajo që pamundëson një qeveri të mbajë pushtetin përmes lidhjeve me krimin dhe shitblerjes së votave. Prandaj për ne, një drejtësi e fortë është jetike për vendin. Po ju kujtoj përsëri dosjen “Çyrbja”, si etalon të mënyrës me të cilën kjo mazhorancë vepron përmes krimit për të rrëmbyer vota, duke përdorur po ashtu korrupsionin qeveritar për të blerë vota, përdor burimet shtetërore për të ndikuar në zgjedhje.

Kjo mënyrë e të vepruarit nuk është as meritë dhe as vlerë për ata që fryhen nga maja e malit të korrupsionit për fitore të korrura padrejtësisht. Dhe gjej rastin t’i bëj një thirrje SPAK-ut për të mos vonuar hetimet e abuzuesve me zgjedhjet e po ashtu, e mbështes dhe inkurajoj në ngritjen e pritshme të strategjisë që kanë shpallur për hetimin e krimeve në zgjedhjet që po afrojnë. Por, kjo është vetëm një pjesë e problematikës, ndonëse në 2021-shin ishte më përcaktuesja. S’ka shqiptar që nuk e di se PD-së iu vodh fitorja më 2021. Sot Edi Ramën po e mban në pushtet Sali Berisha.

Z. Rama ka investuar vitet e fundit te mbajtja e hapur e “plagës” që lëndoi opozitën, përmes mediave dhe oligarkëve të tij. Por, tashmë edhe kjo është në sytë e të gjithëve, sepse pazaret e përbashkëta mes “revolucionarëve” dhe “rilindasve” janë më të shumta se protestat. Kam besim të plotë se ky do të jetë fundi i tyre. Për pak muaj qytetarët do të kenë mundësi që të përdorin me përgjegjësi votën e tyre, duke pasur parasysh se diferenca mes atyre që duan që Shqipëria të mos ndryshojë dhe atyre që kanë bërë gjithçka për t’i dhënë një alternativë më të mirë vendit, nuk ka qenë kurrë më e qartë dhe u takon atyre të përcaktojnë me votë në cilin drejtim duan që të shkojë vendi.

Pyetje: Çfarë e rrëzon Edi Ramën nga pushteti?

Lulzim Basha: Një opozitë që lufton për qytetarët e jo për kryetarët e vetëshpallur të saj.

Exit mobile version