SPAK trondit Veliajn, kontrolle në Bashkinë Tiranë dhe banesat e 3 drejtorëve

Zyrat dhe banesat e drejtorëve të bashkisë së Tiranës janë bastisur gjatë mbrëmjes së të enjtes dhe ketë të premte nga agjentet e Byrosë Kombëtarë të Hetimit. Kontrollet janë urdhëruar nga SPAK që po heton zyrtarët e lartë të bashkisë për procedimet penale të inceneratorit të Tiranës dhe atë të njohur si “5D” – lidhur me një skemë e dyshuar korruptive me tendera nga strukturat e Bashkisë së Tiranës.

Burime pranë grupit hetimor thanë të paktën tre banesa të drejtorëve të institucioneve nën varësi të bashkisë së drejtuar nga Erion Veliaj janë kontrolluar gjatë mbrëmjen së djeshme me urdhër të prokurorisë.

Kontrollet kanë vijuar mëngjesin e kësaj të premteje në zyrat qendrore të bashkisë së Tiranës, në “Sheshin Skënderbej” dhe drejtorive nën varësi.

Mes ambienteve të kontrolluara është Drejtoria e Shërbimeve Mbështetëse, e drejtuar më herët nga Taulant Tushe – i njohur si bashkëpunëtor i afërt me kryebashkiakun Erion Veliaj dhe tanimë pas hekurave nën masës e arrestit me burg për dosjen e inceneratorit të Tiranës.

Banesa e zëvendësueses së Tushes, Ilda Qazimllari ka qenë po ashtu subjekt i kontrolleve.

Nën lupën e SPAK është edhe Drejtori i Monitorimit dhe Mbikëqyrjes në Agjencinë Kombëtare Ujësjellës Kanalizime dhe Mbetjeve te Ngurta (AKUM), Arben Kacorri, i cili është marrë në pyetje nga prokuroria, si dhe janë ushtruar kontrolle në zyrë dhe banesën e tij.

Ende nuk është e qartë se në kuadër të cilit procedim penal janë kryer kontrollet, megjithatë në media është përfolur se së shpejti mund të ngihen akuza penale ndaj disa prej drejtorëve të bashkisë.

“Për shkak të korrupsionit që ka kaluar normat do goditet nga njerëzit që janë brenda SPAK. Do e shihni javën e ardhshme dhe javët në vijim. Shikoni veç çfarë do ndodhë me Bashkinë e Tiranës”, tha botuesi Baton Haxhiu në një emision televiziv një ditë më parë.

Ndërsa një raportim në median e drejtuar prej tij “Albanain Post”, do të shkruhej më vonë se “gjashtë drejtorë në Bashkinë e Tiranës mund të përballen shumë shpejt me drejtësinë e SPAK”.

“Akuzat kryesore lidhen kryesisht me shkelje dhe me afera korruptive në rang të lartë drejtuesish. Gjithashtu, edhe çështje që kanë të bëjnë me favorizime të krijuara në tenderë të ndryshëm”, thuhej më tej në raportim.

Artikulli paraprakSpahiu: Socialistët shqiptarë të vetmit në planet që s’kanë ndërtuar një azil pleqsh
Artikulli tjetërAutostrada Tiranë-Durrës me pagesë? Basha: Hajdutllëk, grabitje që do t’i bëhet qytetarëve!