Spalleti si Mourinho!

Vetëm pak ditë na ndajnë nga sfida Juventus-Inter, që pritet me shumë padurim, sidomos nga Massimo Moratti. Ish-presidenti i Interit, i intervistuar nga “La Gazzetta dello Sport” thotë se ka jetuar gjithmonë me rivalitetin historik karshi Juventusit: “Juve apo Milani? Nuk ka krahasim. Në njërën anë është një dualitet brenda shtetit, në tjetrën një antagonizëm historik. Sportivisht jam duke folur, armiku i vërtetë është Juve”, u shpreh Morati.
Moratti thotë se do të kishte kënaqësi “t’i vidhte” një lojtar skuadrës bardhezi. “Juves do t’i hiqja Dybala dhe do ta merrja tek Interi. Çfarë çifti fantastik sulmuesish me Icardi!”, tha Morati. Pra, presidenti i mëparshëm zikaltër përshëndet punën e trajnerit Spalletti: “Pas tripletës ishim shumë afër tij, dërgova edhe Brancën që të fliste me të, por pastaj shkoi te Zenit. Nëse më kujton Mourinhon? Spalletti hyn në kokën e trajnerëve si portugezi. Dhe realizon besimin e ndërsjellë, i cili pastaj përhapet dhe e bën tërë mjedisin më paqësor”.
Mjedisi zikaltër tani mund të ëndërrojë “Scudetto”. “Është e rëndësishme që skuadra ta ketë këtë objektiv në kokë dhe në zemër, por të jetë e përgatitur që çdo sfidë të përballojë tensionin e duhur. Përveç Juves, shoh edhe Romën me Napolin në garë për titull. Sarri luan mrekullisht”, u shpreh Morati.
Kushërinjtë e Milanit, megjithatë, janë mjaft larg. “Mendova se nuk do të jetë e lehtë, duke ndryshuar dhjetë elementë të ekipit, por nuk besoja se do të kishte aq shumë probleme. Berlusconi mungon”, tha ai.
Së fundi, Moratti rrëfen se nuk pendohet për dështimin e ardhjes së Antonio Conte në krye të Interit: “Ndryshimi i vërtetë është se Spalletti nuk e ka fituar titullin akoma dhe e sheh Interin si mundësinë e arritjes së diçkaje shumë të rëndësishme. Konte e ka fituar tashmë në Seria A dhe në Angli. Nëse ai do të kishte dështuar këtu, do të ishte faji i Interit dhe jo i tij. Ai në Milano? Unë nuk mendoj kështu”, tha Morati.
Spalletti ka marrë lavdërime nga më të ndryshme për këtë fillim sezoni, pasi skuadra e tij ende nuk dinë për humbje në Serinë A. Por, legjenda e Interit, Lucio, thotë se ai duhet të fitojë trofe për të lënë gjurmë si Jose Mourinho. “Spalletti si Mourinho? Fillimisht, dua të them se nuk më pëlqejnë këto lloj krahasime”, tha fituesi i Kupës së Botës.
“Mourinho shkroi histori, ai është fitues dhe tashmë e ka dëshmuar se puna dhe filozofia e tij kanë qenë të suksesshme”, shtoi ai. “Ai është tip i njërit që gjithmonë dëshiron të fitojë. Trajneri i ri i Interit ka rrugë të gjatë para vetës. Ai duhet të fitojë trofe nëse dëshiron të krahasohet me Mourinhon”, theksoi mes tjerash Lucio.

Artikulli paraprakNewcastle dëshiron Iker Casillas
Artikulli tjetërIcardi: “Jam shumë mirë tek Interi”