Spanja do t’i shkojë deri në fund Europianit

Të gjithë duhet t’i tremben Spanjës. Në Francë, La Roja synon të fitojë për herë të tretë radhazi kampionatin Europian, dhe ka besim se mund t’ia dalë. Është i bindur për këtë trajneri Vicente Del Bosque, i cili pret shumë nga të besuarit e tij. “Jemi mirë, jemi në gjendjen më të mirë të mundshme. Jam optimist se mund t’i shkojmë deri në fund kompeticionit. Besoj shumë te ky grup. I kemi idetë të qarta se në çfarë mënyre dëshirojmë të luajmë. Të gjithë mund të luajnë, edhe pse nuk do të jetë e njëjta gjë, nëse në fushë zbret David Silva apo Lucas Vasquez, Koke apo Thiago. Në ndeshjen e parë do të hedhim në fushë formacionin 4-1-4-1, më pas të shohim se si do të rrjedhin gjërat, mund të ndryshojmë edhe në varësi të kundërshtarit”, u shpreh Del Boske.
Gjatë kësaj periudhe, Vicente Del Bosque është kritikuar shumë nga mediat në gadishullin iberik për faktin se ka lënë jashtë kombëtares lojtarë të tillë si Saul Niguez, Isco, Juan Mata, Diego Costa apo Fernando Torres. Por trajneri i kampionëve në fuqi të Europës e ka një përgjigje edhe për këtë çështje.
“Kur të duhet të japësh kaq shumë shpjegime, ai që ka më pak të drejtë është gjithmonë trajneri. Por unë dua t’u bëj të ditur të gjithëve, se zgjedhjet i kanë bërë në sajë të nevojave që kemi.  Saul për shembull nuk ka qenë në garë për një vend në Europian me lojtarët e qëndrës së mesit të fushës. Për atë që ne dëshirojmë na janë dukur më të sakta zgjedhjet që kemi ndërmarrë. Nuk mund të shtoj asgjë më shumë. Ne si staf teknik nuk kemi asgjë kundër asnjë futbollisti. Mungesa e Saul ka tërhequr vëmendjen siç ka ndodhur edhe lënien jashtë të Matës, Torres, Paco Alcacer e Diego Costës”, përfundoi trajneri i Spanjës.
Ndërkohë, Franca po konfirmon nga ndeshja në ndeshje, se është në formë optimale për “Europianin 2016” dhe duket se, efektin e parë do ta ketë te rivalët e grupit finalist, duke përfshirë dhe Shqipërinë. Nëse më parë formacioni i Gianni De Biasit ka fituar në miqësore, madje edhe barazoi në transfertë, këtë herë mundësitë reale janë thuajse minimale me organizatorët e turneut. “Transalpinët” shihen si skuadra favorite për të triumfuar në finalen e madhe të 10 korrikut në Paris, teksa miqësorja e fundit, ku iu imponuan 3-0 Skocisë, konfirmoi fuqinë e repartit të avancuar. Giroud, dy herë, si dhe goli i Koscielnyt ishin pikat kulmore të sfidës së fundit në stadiumin e Metzit.
Pas kësaj, trajneri Didier Deschamps tha se është duke “zhdukur” dilemat e fundit për formacionin e ndeshjes hapëse ndaj Rumanisë më 10 qershor. “Ishte një paraqitje e mirë, por ne mund të kishim shënuar më shumë në bazë të mundësive të krijuara. E morëm ndeshjen seriozisht, edhe pse ishte një miqësore. Tashmë i kam në kokë idetë sesi do ta nisim dhe si mund ta mundim Rumaninë.

Artikulli paraprakKinezët blejnë Interin
Artikulli tjetërRama u jep bandave lulishten pas “Qemal Stafës” për shesh ndërtimi