Spanja e nis me humbje Olimpiadën

Fitore e madhe e Kroacisë ndaj Spanjës në basketbollin e meshkujve. Përfaqësuesja ballkanase e nisi në mënyrën më të mirë Olimpiadën e Rios, pasi kaloi me shifrat 72-70 në ndeshjen e saj të parë në Grupin B skuadrën e trajnerit Sergio Scariolo. 14 pikë disavantazh shpërdoroi Spanja përballë kroatëve. Fituesit e 3 medaljeve të argjendta në historinë e olimpiadave, e fundit në Londër 2012, kishin kontrollin e ndeshjes në dorë deri në gjysmën e periodës së 3. Por që nga ai moment Spanja lëshoi shumë në lojën e saj dhe nga ky fakt përfitoi Kroacia që iu fal 23 pikëve të realizuara nga basketbollisti i Brooklyn Nets në NBA, Bojan Bogdanoviç për të thyer rezistencën e La Rojas. Spanjës nuk i mjaftoi paraqitja e shkëlqyer e Pau Gasol, që e mbylli sfidën me 26 pikë, 9 rebound dhe 1 asist.
Me emra të tillë në përbërje si Ricky Rubio, Nikola Mirotiç, Rudy Fernandez, Pau Gasol e Sergio Lull, Spanja shikohet nga të gjithë si skuadra që mund të rivalizojë sadopak për fitimin e medaljes së artë, Dream Team-in e Shteveve të Bashkuara të Amerikës, por me ndeshjen që zhvilloi ndaj Kroacisë formacioni i trajnerit Sergio Scariolo diçka e tillë ka pak gjasa të ndodhë. Në ndeshjet e tjera të Grupit B, Brazili e nisi me një humbje ndaj 76-82 ndaj Lituanisë, ndërsa Argjentina shpartalloi Nigerinë me shifrat e thella 94-66, për meritë edhe të dyshes Campazzo-Luis Scola që të dy së bashku realizuan në total 37 pikë.

Exit mobile version