Spanja ka lojtarë të një klasi tjetër

Armando Sadiku është një nga ata që nuk di t’ju bëjë bisht përgjegjësive, përkundrazi. Në ndeshjen e parë ndaj Spanjës nuk ishte dhe këtë të premte shpreson që të bëjë më të mirën, edhe pse i vetëdijshëm për shkallën e lartë të vështirësisë. “Spanja sa e vështirë për një sulmues? Janë lojtarë të një klasi tjetër, luajnë në ekipet më të mira në botë. Ne i respektojmë. Ndeshjen e parë nuk isha, e pashë nga televizori, por besoj që do të jetë e vështirë, si të prekësh topin, si në duele. Por, nëse ne e tregojmë veten si në Europian, si me Izraelin, ne gjithmonë ndaj ekipeve të mëdha luajmë mirë. Po të luajmë si grup mund t’ia dalim edhe këtë herë”, tha Sadiku.
Ambiciet e Sadikut nuk kufizohen kur pyetet nëse do të preferonte një gol kundër Spanjës apo ndaj Italisë. Gjithsesi kryesorja për të, pavarësisht aspektit personal mbetet suksesi i Shqipërisë. “Gol Spanjës apo Italisë? Do të më pëlqente t’i shënoja të dyja këtyre skuadrave. Por, nëse luajmë si grup ashtu si në ndeshje të tjera të rëndësishme si kjo do të arrijmë t’i krijojmë vështirësi kundërshtarëve dhe të marrim rezultat. Unë shpresoj të shënoj, do të ishte mjaft bukur për mua personalisht dhe nëse do të ndihmoja ekipin të merrte një pikë do të ishte perfekt”, tha ai.
Sadiku nuk i zë besë krizës në thonjëza të Spanjës, është nga ato skuadra që ka kualitetin për të zëvendësuar këdo, De Biasi nuk ka harruar t’i kujtojë se nëse mundin Spanjën do të jenë heronj në Itali duke ju bërë një nder të kaltërve, ndërsa për Panuçin, beson se ky do të jetë një projekt fitues. “Trajneri ka ardhur i ri, ne ishim mësuar me De Biasin. Ai na njihte shumë mirë. Ndërsa me trajnerin e ri edhe në stërvitje të gjithë lojtarët mundohen të japin 100 për qind. Trajneri ka futur edhe një frymë të re, na duhet pak kohë të ambientohemi, të na njohë të gjithëve mirë. E rëndësishme është të japim më të mirën, ndërsa trajneri do të provojë të eksperimentojë si për formacionin, si në grumbullime që t’i ketë idetë më të qarta. T’i japim pak kohë dhe të shpresojmë që gjërat të shkojnë në rrugën e duhur”, u shpreh Sadiku.
E fundit, por jo për nga rëndësia, për të mësuar se ku i gjeti forcat për të kaluar në krye të hierarkisë së sulmit dhe mos rreshtur së shënuari, kuptoni diçka mbi lidhjen e Sadikut me fanellën kuqezi. “Kur vij në ekipin kombëtar mendoj gjithmonë se do të vij dhe të lë gjurmë në çdo ndeshje. Në ndeshjet ku kam munguar për arsye dëmtimi, qaj përbrenda meje sepse nuk jam në fushë. Në çdo ndeshje kërkoj të lë gjurmë dhe të bëj diçka që askush nuk e ka bërë. Në kombëtare jap më të mirën time, edhe kur nuk jam në formën më të mirë mundohem të lë zemrën në fushë”, përfundoi Sadiku.

Exit mobile version