Spanjë-Gjermani finalja

Spanja e 21-vjeçarëve fluturon në finalen e kampionatit europian falë Saul Niguez. La Roja është me fat që ka në skuadër një mesfushor të tillë ashtu si edhe Atletico e Madridit. 22-vjeçari nga Elche ishte thjeshtë fantastik në gjysmëfinalen ndaj Italisë teksa me një 3 golësh udhëhoqi Spanjën drejt një fitoreje 3-1 që e kualifikoi skuadrën e trajnerit Albert Celades në finalen e madhe të Europianit të 21-vjeçarëve, aty ku La Roja do të luajë për herë të 7-të dhe do të kërkojë trofeun e 5-t. Përballë do të jetë Gjermania që mposhti pas goditjes së penalltive Anglinë, pasi koha e rregullt përfundoi në barazim 2-2.
Në Krakovë, ndërkohë në gjysmëfinalen që pritej më shumë interes, edhe pse të dyja skuadrat kishin në përbërje shumë yje, Spanja ishte më lart në çdo aspekt krahasuar me Italinë edhe pse të Kaltërit e Luiggi Di Biaggos u munduan të thoshin fjalën e tyre. Pjesa e parë ishte deri-diku e barabartë, pasi edhe Italia e ngacmoi në jo pak raste Spanjën. Por vetëm kaq për të Kaltërit, sepse në fraksionin e dytë Saul mori të gjithë skenën, duke u shndërruar në protagonistin kryesor të një filmi që pritej të kishte një fund të tillë. Kur kishin kaluar 8 minuta nga ky fraksion loje, Saul mposhti Donnarummën për avantazhin e La Roja.
Gjërat u bënë më të vështira për Italinë në minutën e 58-të, kur Gagliardini mori kartonin e dytë të verdhë, duke i lënë të Kaltërit me një lojtar më pak në fushë. Megjithatë, italianët nuk u dorëzuan me Bernardeschin që pak çaste më vonë barazoi shifrat me një gjuajtje të fortë nga distanca që u devijua edhe nga një mbrojtës kundërshtar. Por shumë shpejt, La Roja rigjeti epërsinë, me Saul që me një goditje nga më shumë se 30 metra distancë shkundi merimangat nga porta e Donarummës. Në të 74-ën Saul Niguez u dha fund shpresave të Italisë me golin e 3-1 që hipotekoi suksesin e Spanjës.
Më herët, kualifikimin në finale e kishte siguruar edhe Gjermania. Dave Selke i dha avantazhin provizor Gjermanisë por Gray dhe Abraham përmbysën gjithçka në favor të Tre Luanëve. Anglia nuk arriti gjithsesi ta ruante epërsinë, sepse Platte në të 70-ën me golin e tij barazoi shifrat në 2-2 duke e çuar ndeshjen në shtesë. 2 pjesët nga 15 minuta nuk prodhuan asgjë me fituesen që u përcaktua pas goditjes së penalltive, aty ku Gjermania u tregua më e saktë, duke triumfuar 4-3, për të sfiduar Spanjën në finalen e madhe të Europianit të 21-vjeçarëve.

Artikulli paraprakPresion Realit!
Artikulli tjetërAkuzat e reja të Iranit ndaj SHBA