Spastrime me “projekt-ligj” në diplomaci, rrezikohet largimi i diplomatëve të karrierës

Nga Sebi Alla

Në gusht të vitit të kaluar, kryeministri Edi Rama shprehu vlerësime për përfaqësuesit diplomatik të Shqipërisë në konferencën “Diplo 2024”. “Diplomacia jonë ka hyrë në një dinamikë të re dhe ka luajur një rol kyç në zhvillimet transformuese të kësaj kohe. Sot Shqipëria negocion anëtarësimin në BE pas një procesi të jashtëzakonshëm skanimi të të gjithë sistemit të organizmit të vendit” tha Rama.

Por pa kaluar as viti, hartimi i një projektligji të ri, që pritet të kalojë në Parlament për shqyrtim dhe votim, vë në pikëpyetje “transformimin” e diplomacisë.

Një paragraf i futur “nëndorë” në nenin 68 (pika 3), të “Projektligjit për Shërbimin e Jashtëm në Republikën e Shqipërisë”, mund të ndryshojë rrënjësisht shërbimin diplomatik, deri në largimin e pjesës më të madhe të diplomatëve të karrierës. “Brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të gjithë diplomatët në shërbim duhet t’i nënshtrohen një testimi të detyrueshëm për të verifikuar aftësitë e tyre”, thuhet në pikën shtesë e cila përbën thelbin, por është mbajtur e fshehur si në faqet zyrtare të institucioneve, ashtu edhe në “konsultim publik”.

Përfshirja e togfjalëshit: “të gjithë diplomatët në shërbim duhet t’i nënshtrohen një testimi të detyrueshëm për të verifikuar aftësitë e tyre”, kupton qartësisht se askush nuk do e ketë vendin e sigurt, pavarësisht pozicionit që mban në shërbimin e jashtëm apo të brendshëm diplomatik. Njëkohësisht lë intepretime për dyshime se pas këtij provimi me ligj, do të ketë emërime të reja pa marrë parasysh “vitet e karrierës” dhe profesionalizmin e vlerësuar në grada hierarkike por lidhjet politike dhe klienteliste. Të paktën ky mbetet një nga shqetësimet kryesore të ekspertëve të ndryshëm me të cilët Faktoje.al u konsultua.

Diplomatët

Ndonëse koncepti i diplomatëve qartëson karrierë të gjatë duke kaluar në disa faza, pozicione dhe grada, me projektligjin e ri mund të “shuhet” ky koncept, duke e ngritur si shqetësim edhe nga ish-diplomatë të njohur.

“Një përqasje e tillë, e cila gjen vend gjerësisht në projektligjin e ri të propozuar, i lë diplomatët e karrierës, të formuar ndër vite, në hije, me synim zhdukjen e kësaj ‘specie’, për t’i hapur vend një shtrese të re diplomatësh, që pritet të rekrutohen, të cilët do të marrin atributet e ‘karrierës’, duke zëvendësuar të tanishmit dhe kapur poste drejtuese në diplomacinë shqiptare, pa pasur përgatitjen dhe eksperiencën e duhur, që është shumë e nevojshme në diplomaci” thotë për Faktoje.al, Sokol Gjoka, ish-ambasador dhe ish-drejtor politik në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme.

Edhe ish-ambasadori Agim Nesho këtë projektligj e sheh si formë për të larguar diplomatët e karrierës dhe zëvendësuar ata me “militantë partiak” në shërbim të qeverisë.

“Fatkeqesisht, shërbimi i jashtëm vihet në shërbim të qeverisjes dhe përdoret për realizimin e agjendave të qeverisë. Për më tepër, kohët e fundit politika e jashtme është personalizuar dhe i shërben kreut të qeverisë dhe konjukturave të momentit”, thotë Nesho, teksa shton se zakonisht në gjithë eksperiencën botërore futja në shërbimin e jashtëm bëhet me konkurs dhe kandidatët i nënshtrohen një provimi. “Diplomati nuk i nënshtrohet provimeve të tjera po vlerësohet nëpërmjet punës që bën. Bërja në këto momente e një vleresimi tjetër do të nënkuptonte një spastrim të shërbimit nga njerëz që nuk janë të dëshirueshëm”, thekson Nesho.

Si ndryshoi projektligji

Në faqen zyrtare të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme është publikuar projektligji, për shërbimin diplomatik, por në draft nuk afishohet pika 3 e nenit 68. Po ashtu edhe varianti i publikuar në faqen e Kryeministrisë nuk afishon këtë shtesë, por ajo gjendet si fakt i kryer vetëm në projektligjin final të mbërritur në Kuvend. “Ky nen është anti kushtetues, bie ndesh me ligjin për nëpunësin civil, me të cilin një diplomat karriere është i mbrojtur, dhe synon të shkallmojë përfundimisht diplomacinë e karrierës, një investim i rëndësishëm i bërë ndër vite”, konstaton Gjoka.

Për ish-ambasadorin, projektligji i ri ka mungesë transparence dhe nuk është bërë pa qëllim… “Neni 68, pika 3 nuk ka qenë i përfshirë në draftin e këtij projektligji që u paraqit për diskutim publik, ç’ka dëmton transparencën e tij dhe vërteton postulatin se ‘djalli fshihet në detaje’. Dhe ky nuk është i vetmi nen që synon ta ç’rrenjosë karrierizmin dhe profesionalizmin nga diplomacia shqiptare se të tillë gjen të shprehura aty-këtu, në nenin 38, 42, 50, etj”, thotë Gjoka. “Diplomacia, ashtu si tërë forcuar, administrata publike duhet mbajtur sa më larg politikës, mbasi ajo është një pasuri kombëtare, e cila i duhet Shtetit sa ai të funksionojë”thekson ish-ambasadori për Faktoje.al.

Provimi që privon gradat

Ligji i shërbimit të jashtëm si ai aktual Ligji nr.23/2015, po ashtu dhe projektligji, parashikojnë një sistem të rreptë të kontrollit të karrierës së diplomatit, duke kaluar nga grada në gradë dhe me një proces testimi.

Ekspertët konstatojnë se mekanizmat për kontrollin dhe verifikimin e njohurive ligji në fuqi i ka, po ashtu dhe projektiligji i ri i propozuar ka marrjen e gradës me testim dhe vetëm në rast të vlerësimit pozitiv. Po përse u shtua një pikë në nenin e fundit të projektligjit? “Projektligji për Shërbimin e Jashtëm, i ofruar tashmë Kuvendit për miratim, në vend që t’i shërbente forcimit të karrieres diplomatike, ai e zhvesh edhe më shumë atë nga kariera profesionale, duke e kthyer në një ligj klientelizmi politik, ku përfaqësues të këtyre të fundit, të veshur me kostumin e diplomatit, do ta kthejnë diplomacinë e karrirës, në një diplomaci klienteliste, mbase dhe partiake”, konstaton për Faktoje.al, ish-ambasadori Gjoka.

Një tjetër shqetësim mbetet se kush do të jenë “profesorët” apo “grupi vlerësuesve” që do të kalojnë në shqyrtim aftësitë e diplomatëve të karrierës. Gjithashtu lihet e hapur mundësia që në testim të kalojnë edhe ambasadorët dhe çdo rang tjetër drejtues dhe me gradë të lartë diplomatike. Në draftin e paraqitur thuhet se: “Procedurat dhe kriteret e testimit do të përcaktohen me akt nënligjor”.

Përfundimi

Projektligji “Për Shërbimin e Jashtëm në Republikën e Shqipërisë” pati mungesë transparence dhe mbi të gjitha nuk u diskutua dhe afishua publikisht një nen dhe veçanërisht një pikë shtesë e cila fut në provim sistemin e shërbimit diplomatik në vend.

Rreziku i zëvendësimit të shërbimit diplomatik me përfaqësues politik ose “kliantelizëm” ngrihet si shqetësim kryesor i këtij drafti nga diplomatë me karrierë të gjatë.

Nisur nga paralajmërimi i ish-ambasadorëve se drafti është regres, por edhe optikën tjetër nga e sheh diplomacinë kryeministri Rama, deklaratën e këtij të fundit për transformim do ta kategorizojmë si gjysmë të vërtetë. Në fund të fundit konkursi për të futur të gjithë në provim nuk është larg…

/Faktoje.al

Artikulli paraprakSkandal/ Mësuesi i Historisë, kreu i bandës që shpërndante drogë nga Shqipëria në Finlandë
Artikulli tjetërShqipëria po fundoset/ Gjergji Nika: Vendi ka nevojë për lidership, shqiptarët janë lënë në mëshirë të fatit