Ernesto Valverde do të jetë trajneri i ardhshëm i Barcelonës dhe për këtë nuk ka dyshime. Klubi katalanas ka marrë vendimin për t’ia besuar 53-vjeçarit ringritjen e klubit pas një sezoni që mund të quhet i dështuar.
Gazeta spanjolle “AS” ka publikuar një analizë, në të cilën renditen të gjithë lojtarët që janë të paprekshëm, por edhe ata që shihen në dyshim. Interesant është fakti që në listën e futbollistëve që mund të largohen nga Barcelona në merkaton e verës janë atë që u afruan në merkaton e kaluar. Trajneri Valverde ka bërë edhe një listë të gjatë të futbollistëve që kërkon të afrojë në merkato dhe shihet qartazi që reparti ku duhen ndërhyrje në kampin katalanas është mesfusha.
Ter Shtegen, Silesen, Pike, Umtiti, Buskets, Serxhi Roberto, Mesi, Nejmar, Suarez, Maskerano dhe Iniesta. Janë 11 futbollistët që do të qëndrojnë me siguri edhe për sezonin e ardhshëm. Këta janë futbollistët që kanë histori me skuadrën katalanase.
Për dy të fundit, Maskerano dhe Iniesta vlen një tjetër diskutim. Nëse duan të largohen për shkak të moshës, drejtuesit do t’u japin leje, edhe pse dëshira është që të vazhdojnë të qëndrojnë.
Shumë nga futbollistët e afruar në këtë merkato mund të largohen sepse nuk kanë bindur aspak dhe nuk e ndihmuan ekipin për të siguruar objektivat. Barcelona u eliminua nga Liga e Kampionëve dhe nuk arriti të triumfonte në kampionat, edhe për faktin se në stolin e rezervave nuk kishte lojtarë të aftë për të bërë diferencën sa herë futeshin.
Zheremi Matjë dhe Arda Turan ishin zhgënjimet më të mëdha të Barcelonës në këtë sezon dhe me shumë mundësi nuk do të jenë pjesë e ekipi të ardhshëm të Valverdes. Të dy do të largohen për të nisur ndonjë tjetër aventurë, bashkë me ta edhe Masip.
Lista është e gjatë, por vihet re që lojtarët që po kërkon Barcelona janë në repartin e mesfushës. Ander Herrera është ëndrra e madhe, ndërkohë që lista e dëshirave plotësohet me Kutinjon, Vitolon dhe Verratin. Ky i fundit duket shumë i vështirë për t’u arritur.
Ndërkohë, Juan Carlos Unzue, tashmë ish-ndihmësi i Luis Enriques te Barcelonës, është emëruar trajner i ri i Celta Vigos. Lajmin e ka bërë të ditur klubi spanjoll përmes sajtit zyrtar. Unzue shihej si pasardhës i Enriques te Barcelona, por duket se është Neymar ai që ka prishur gjithçka, që sipas mediave spanjolle u kishte thënë drejtuesve të klubit “ose ai, ose unë”. Ky vendim i Unzue vjen pasi Enrique nga kjo verë do të jetë pa klub, i cili ka thënë se dëshiron të pushojë para se të marrë drejtimin e ndonjë skuadre.