Lionel Messi dhuron spektakël në trofeun “Joan Gamper”. Sulmuesi argjentinas shënoi dy gola, si dhe dha një asist në fitoren 3-1 të Barcelonës përballë Sampdorias të zhvilluar në “Camp Nou”. Duket se 5 herë fituesi i Topit të Artë e ka lënë pas zhgënjimin në finalen e Copa America Centenario, ku dhe njoftoi se tërhiqej nga kombëtarja. Që në minutën e 16 të takimit Messi shpiku një asist me roveshatë për Luis Suarezin, i cili s’mund të bënte gjë tjetër veçse ta shtynte topin drejt rrjetës. Vetëm 5 minuta më pas, argjentinasi në limitet e pozicionit jashtë loje kontrolloi në mënyrë perfekte një krosim të Rakitiç dhe pasi shtriu përtokë Vivianon, realizoi golin e dytë.
Vetëm dy minuta pas golit të dytë të Barcelonës, Muriel shkurtoi diferencës pas një kombinimi perfekt mes sulmuesve të Sampdorias. Gjithsesi në minutën e 34-t Messi shpiku një tjetër mrekulli nga repertori i tij, duke shënuar nëpërmjet një goditjeje dënimi nga distanca. Në pjesën e dytë Enrique bëri ndryshime të shumta, duke i dhënë mundësinë e debutimit mesfushorit Andre Gomes dhe mbrojtësit Umtiti, dy blerjeve më të rëndësishme të Barcelonës në këtë merkato vere, ndërsa në të 76 lanë fushën Messi e Busquets për Samper e Munir.
Një shpërqendrim në fazën mbrojtëse të katalanasve u shfrytëzua më së miri nga Budimir, që pasi e kontrolloi me gjoks topin mposhti edhe portierin Ter Stegen. Traversa e Luis Suarezit në të 90-ën ishte momenti i fundit emocionues i një ndeshje të dominuar përgjithësisht nga blaugranat, që shkojnë me optimizëm në ndeshjen e vajtjes të Superkupës së Spanjës me Sevillen.
Festë për Celta Vigon. Skuadra spanjolle fitoi edicionin numër 16-të të trofeut Tim, pasi në përballjet me Milanin dhe Sassuolon grumbulloi më shumë pikë, duke u bërë kështu skuadra e parë e huaj që triumfon në këtë turne. Për herë të parë në trofeun Tim merrte pjesë një skuadër nga jashtë Italisë, por skuadra galiciane që këtë vit ka siguruar edhe kualifikimin në grupet e Europa League nuk u mjaftua vetëm me pjesëmarrjen, pasi arriti të fitonte edhe trofeun. Në 3 sfidat nga 45 minuta Celta Vigo grumbulloi më shumë pikë edhe pse e nisi turneun me një humbje me penallti ndaj Milanit. Galicianët më pas mposhtën me rezultatin 1-0 Sassuolon dhe në fund iu falën suksesit 3-2 që arriti ekipi emilian ndaj kuqezinjve të Montellës për të bërë të tyrin trofeun Tim. Ndeshja hapëse mes Milanit dhe formacionit të drejtuar nga trajneri argjentinas, Eduardo Berrizo përfundoi në barazim pa gola edhe pse Carlos Bacca-s pak përpara fundit të 45 minutëshit iu paraqit mundësia ideale për t’i dhënë epërsinë Milanit, por goditja e kolumbianit u ndal nga portieri i Celtas.
Për të përcaktuar skuadrën fituese u nevojit goditja e penalltive dhe nga pika e bardhë futbollistët e Milanit u treguan më të saktë duke realizuar 4 penallti, ndërsa Diego Lopez ndali dy tentativa të lojtarëve të Celtës. Pas takimit të parë klasfikimin e përgjithshëm e kryesonte Milani me dy pikë të grumbulluara kundrejt vetëm 1 të skuadrës spanjolle. Gjithsesi atë që s’e realizoi dot ndaj ekipit të Montellës, Celta Vigo e bëri ndaj Sassuolos, duke fituar ndeshjen e dytë me rezultatin 1-0 falë një goli të Draziç.