Armando Broja duket se ka mbyllur para kohe sezonin e tij me Everton. Kjo duket nga vendimi i sotëm i trajnerit Devid Mojes, i cili ka lënë si spektator sulmuesin e Kombëtares shqiptare për ndeshjen historike ndaj Sauthemptonit.
Ndeshja në fjalë është e veçantë pasi do të jetë e fundit që Evertoni luan si pritës në stadiumin “Goodison Park”, pasi do të zhvendoset te një i ri më modern. Për këtë sfidë, Broja nuk është preferuar as në stol nga trajneri i cili ka dhënë kësisoj një mesazh të qartë se nuk përfshihet në planet e klubit për të ardhmen.
Evertoni kishte mundësinë e aktivizimit të klauzolës për blerjen e sulmuesit shqiptar, por vendimet e fundit të Mojes, i cili i ka rezervuar shumë pak minuta, bëjnë që tashmë ky opsion të mos diskutohet më. Kësisoj, Broja do të kthehet në fund të huazimit te Çelsi, për të nisur menjëherë kërkimin për një ekip të ri pasi nuk ka hapësira as te londinezët për të.