Spitale me fasada luksoze, por pa mjekë/ Miliona euro investime në rrethe, qytetarët dynden në QSUT

Miliona euro nga buxheti i shtetit derdhen çdo vit për rikonstruksionin e spitaleve rajonale në Shqipëri, por mungesa e mjekëve specialistë i ka kthyer këto institucione në godina bosh me pamje luksoze. Një situatë paradoksale që rrezikon seriozisht shërbimin shëndetësor në zonat e largëta dhe që detyron qytetarët të marrin rrugën drejt Tiranës apo jashtë kufirit.

Spitalet e Rrëshenit dhe Kukësit janë shembuj konkretë të kësaj problematike. Edhe pse janë rikonstruktuar së fundmi me standarde të larta ndërtimi, mungesa e mjekëve specialistë i ka bërë ato jofunksionale. Banorët e veriut të vendit, përfshirë verilindjen, shpesh i drejtohen spitaleve në Gjakovë apo Prizren për të marrë trajtim mjekësor bazë.

Në këtë sfond, të dhënat e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) tregojnë se qytetarët nga rrethet vijojnë të vërshojnë drejt Tiranës për kujdes shëndetësor, duke mbingarkuar Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT).

Vetëm gjatë vitit 2024, QSUT ka realizuar 562,397 vizita ambulatore të specializuara, një rritje prej 48% krahasuar me vitin 2023. Ky institucion përpunoi gjithashtu 44% të shtrimeve spitalore në vend dhe mbajti 91% të totalit të rritjes së vizitave ambulatore në të gjitha spitalet universitare të Tiranës. Në total, pesë spitalet universitare në kryeqytet regjistruan 621,117 vizita, kundrejt 435,115 një vit më parë – një rritje prej 43%.

Në një reagim publik, Qendresa Qytetare kërkon analizim të thelluar të këtyre shifrave dhe rishikim të politikës së financimeve në shëndetësi: “Fokusi duhet të jetë pacienti dhe shërbimi që merr, jo fasada e godinës ku ai nuk gjen dot mjekun”.

Nëse trendi vazhdon, spitalet e rretheve rrezikojnë të mbeten vetëm monumente betoni të papërdorura, ndërsa qendra shëndetësore në Tiranë dhe spitalet jashtë vendit do të vazhdojnë të mbajnë peshën e një sistemi që shpesh investon më shumë në pamje sesa në funksion.

Artikulli paraprakRaporti i Antimafias: Shqiptarët po ‘pushtojnë’ tregun global të kokainës, janë bërë ekspertë në transport dhe negociata
Artikulli tjetërÇfarë duhet të hanë fëmijët? Udhëzimet bazë për një ushqyerje të shëndetshme që nga mosha e hershme