Spitali i Gjakovës, plot me pacientë nga veriu i Shqipërisë! Rrëfimet: Këtu kemi gjetur shërbim dhe ndjehemi më të sigurt

Pas dëshmive të qytetarëve të Tropojës dhe vizitës në Spitalin e Bajram Currit, gazetarja e emisionit investigativ “Tak Fak” Anxhela Gjiriti zhvendoset për pjesën e tretë të investigimit në Spitalin e Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë, aty ku qytetarët nga veriu i Shqipërisë marrin çdo ditë shërbime që mungojnë në vendin e tyre.

Në hyrje të spitalit, gazetarja e “Tak Fak” takon pacientë që kanë udhëtuar nga Shqipëria drejt Gjakovës për t’u operuar apo për të marrë trajtime emergjente.

“Jam nga Hasi. Kam ardhur këtu për operacion dhe gjithçka ka shkuar shumë mirë. Mjekët dhe stafi na kanë pritur me shumë përkujdesje,”  thotë një paciente e operuar në repartin e Ortopedisë.

Një tjetër pacient, i shtruar për ndërhyrje në këmbë thotë se në spitalin e Gjakovës ndjehet më i sigurt se në Tropojë.

“Jam nga Hasi. U ndjeva më i sigurt këtu sesa në spitalin tonë. Më mirë eci ca kilometra më shumë, por të jem i qetë”, thotë ai.

Në repartin e Ortopedisë, të tjerë pacientë të ardhur nga Bajram Curri dëshmojnë se në spitalin e qytetit të tyre nuk ka shërbim ndaj ata janë detyruar të vijnë në Gjakovë.

Një prej tyre është dhe dëshmia e një gruaje të re që sapo ka lindur në spitalin e qytetit fqinj kosovar.

Në repartin e kardiologjisë, një tjetër pacient që ka marrë trajtimin e koronares, shprehet se ka ardhur nga Tropoja pasi atje jeta është në rrezik.

Një nga mjekët specialistë të spitalit të Gjakovës tregon se fluksi i pacientëve nga Shqipëria është i përditshëm

“Na vijnë qytetarë nga Tropoja, Hasi, Krumë. Kjo është një lidhje e hershme, e natyrshme, madje historike. Edhe në luftë kemi qenë bashkë, tani edhe në shëndetësi jemi bashkë.”

Një pacient i shtruar nga Tropoja, i revoltuar nga mungesa e shërbimeve në vendin e tij, deklaron se “duam referendum!

Të bashkohemi me Gjakovën. Aty ku na shërojnë, aty e kemi shtetin”, thotë ai.

Artikulli paraprakPërkujtohet 26-vjetori i ngjarjes së Dubravës, aty ku serbët vranë 160 të burgosur shqiptarë
Artikulli tjetërBIRN: Pasuria arkeologjike e Shqipërisë mbetet e pastrehë