Vendimi i Komisionerit vjen pas një kërkese të bërë në gusht 2016 nga dy organizata joqeveritare, “Together for Life” dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, për të kryer një hetim administrativ ex-officio, mbi diskriminimin e fëmijëve të sëmurë për shkak të mungesës së barit L-Asparaginase në Pavijonin e Onkohematologjisë në Shërbimin e Pediatrisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë.
Gjatë kësaj periudhe QSUT kishte argumentuar se, mungesa e ilaçit kishte ardhur si pasojë e dështimit të procedurave të prokurimeve. Dy organizatat e kishin hedhur poshtë justifikimin e QSUT-së, duke argumentuar se dështimi i procedurave të prokurimit lidhej me fondin e vogël limit të vënë në dispozicion nga spitali për këtë medikament.
“Drejtoria e QSUT-së që nga periudha e dështimit të disa procedurave të prokurimit për këtë bar ka qenë në dijeni se ky bar nuk ka qenë i regjistruar në Republikën e Shqipërisë dhe përsëri nuk ka marrë masat për të vënë në dijeni Ministrinë e Shëndetësisë për këtë mungesë”, shkruan Komisioneri në vendimin me nr. 196 të marrë në fund të dhjetorit.
“Komisioneri vlerëson se Drejtoria e QSUT-së për vetë kohën e gjatë që ka pasur në dispozicion (periudha 2015–2016) duhet të kishte gjetur hapësirat institucionale dhe ligjore (ashtu siç siguroi furnizimin pas datës 14.09.2016) për t’u siguruar pacientëve fëmijë medikamentin në kohën e duhur”, shtoi Komisioneri.
Në përfundim Komisioneri arrin në përfundimin se, “praktika e ndjekur nga Qendra Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, Tiranë, duke mos bërë të mundur vënien në dispozicion të fëmijëve të medikamenteve mjekësore përbën diskriminim të tërthortë të fëmijëve që vuajnë nga sëmundja e leuçemisë”.
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp të premten Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe organizata “Together for Life”, nënvizuan që vendimi i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi duhet t’u shërbejë institucioneve publike të shëndetësisë për të reflektuar pozitivisht, për të gjithë ata pacientë që sot nuk marrin shërbimin e duhur shëndetësor nga këto institucione.