Spitali i Sarandës, si agjenci funerali. Biznes me të vdekurit

 

“Fiks Fare” denoncoi këtë të hënë sesi personeli i Spitalit të Sarandës bashkëpunon me agjenci funerale kundrejt pagesës 10-20 mijë lekë, duke njoftuar pronarët e agjencisë sa herë ka raste vdekjesh në spital.
Punonjës të spitalit pranojnë se, sa herë ka raste vdekjesh njoftohet prej tyre agjencia funerale me telefon dhe lejojnë të rrinë personat dhe mjetet e zyrave funerale në ambientet e spitalit, pavarësisht se kjo është në kundërshtim me ligjin dhe me urdhrat e autoriteteve përkatëse.
Në “Fiks Fare” u ankuan disa qytetarë për abuzimet nga personeli i Spitalit të Sarandës. Madje, sipas ankesave, më shpejt njoftohen agjencitë funerale për vdekjen e një personi në spital, sesa njoftohen familjarët e viktimës.
Bashkë me ankesat, në redaksi mbërritën dhe disa fotografi, ku në ambientet e spitalit vihen re motorët dhe punonjës të agjencisë funerale. I njëjti motor, ngjyrë blu, pa targa, që është i parkuar tek agjencia funerale, shihet i parkuar edhe në hyrje të spitalit.

Pas ankesës së qytetarëve, gazetarët e “Fiksit” verifikuan situatën edhe në spital, ku gjatë bisedave me ndihmësmjekë, infermierë e punonjës të ndryshëm të spitalit, pranohet se agjencia funerale bashkëpunon me stafin për të marrë njoftime për vdekjet, megjithëse kjo është e ndaluar që prej vitit 2015, kur ka dalë një udhëzim i ministrit të Shëndetësisë dhe një urdhër i drejtorit të spitalit.
Madje, në një rast, vet pronarja e agjencisë funerale “Bebri” vjen me një furgon në oborrin e spitalit, pasi do të priste një të vdekur dhe askush nuk e ndalon, pavarësisht se nuk lejohet. Ndërsa një infermiere tregon se, pronarja e agjencisë funerale jep 10 mijë lekë për personin që e njofton se ka rast vdekjeje në spital.
Në një tjetër bisedë me bashkëpunëtorët e “Fiks Fare”, një qytetare, të cilës i kishte vdekur një i afërm në Tiranë, tregon se gjatë të gjithë rrugës për në Sarandë, shoferi dhe infermierja i janë lutur të kryejë shërbimet e varrimit me agjencinë funerale “Bebri”, me qëllim që të marrin nga 10 mijë lekë për person.
Pra, personeli mjekësor pranon se agjencitë funerale njoftohen nga vet ata, edhe pse ka një urdhër dhe udhëzim prej gati 3 vitesh që nuk duhen lejuar.

Për këtë arsye, “Fiks Fare” pyeti edhe drejtorin e Spitalit, Tajar Lako. Drejtori Lako tha se ka rreth një muaj që ka marrë këtë detyrë, por para pak ditësh është vënë në dijeni nga një qytetar, që nuk ka lidhje me agjencitë funerale, se ky problem ekziston, megjithëse nuk e ka konstatuar vet.
Ai pranon se ka një urdhër që i ndalon këto abuzime, por për të minimizuar këtë veprimtari tha se në rastet e vdekjeve, transportimi i viktimave nga pavijoni në morg nuk do të bëhet më nëpërmjet korridoreve, por do të bëhet përmes një kalimi që bashkon spitalin me morgun, me qëllim që të shmangen të gjitha abuzimet dhe familjarët do të shikojnë të vdekurin në morg, ku mund të kontraktojnë agjencitë funerale që duan, pa u ndikuar nga personeli mjekësor.
Madje, menjëherë pas interesimit të “Fiks Fare”, drejtori i Spitalit ka nxjerrë një urdhër edhe më të qartë sesa ai i para tri viteve, që ua ka vënë në dispozicion shefave dhe kryeinfermierëve të pavijoneve. Sipas urdhrit, çdo shkelje e tillë nga personeli mjekësor është e barabartë me largim nga puna.

Artikulli paraprakMungesa e sinjalistikës rrugore, burim aksidentesh
Artikulli tjetërPa drita dhe ilaçe, 70-vjeçarja jeton me lëmoshën e fqinjëve