Spiuni i trafikantëve të drogës, kryepolic në Korçë

Më 13 prill të këtij viti, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda vendosi dënimin e oficerit të Policisë Korçë, Nardi Neli me heqjen e të drejtës për ushtrimin e veprimtarive publike për një periudhë kohore prej tre vitesh. Neli akuzohej për bashkëpunim me trafikantët e drogës, si dhe nxjerrjen e informacioneve sekrete në shërbim të trafikantëve mbi operacionet antidrogë të policisë. Sipas vendimit të gjykatës, Neli ka kryer veprën penale të zbulimit të akteve dhe të dhënave sekrete mbi operacione antidrogë duke favorizuar trafikantët. Por sot, tre muaj pas këtij vendimi, Neli jo vetëm që nuk po mbahet larg funksioneve publike, por është emëruar shef në Seksionin e Trafiqeve në Korçë. Ky rast është denoncuar dje nga kreu i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë, Enkelejd Alibeaj, i cili përmes një deklarate për mediat publikoi dje vendimin e gjykatës për Nelin.
“Një Kryeministër dhe një qeveri që kërkon të luftojë drogën dhe trafiqet, cakton në pozicionet kyçe të kësaj beteje, njerëz me integritet, profesionistë të paimplikuar, pa precedentë.
Shihni çfarë bën Edi Rama. Ka caktuar në Policinë e Korçës si shef të Seksionit të Trafiqeve, një person të dënuar pak muaj më parë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, saktësisht më 13 prill të këtij viti, pikërisht për bashkëpunim me trafikantët e drogës”, është shprehur Alibeaj.
Ai sqaroi se, “Nardi Neli, është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda dhe kjo gjykatë ka kërkuar që ky oficer të mos ushtrojë veprimtari publike për 3 vite.
Pse? Sepse vepra që ka kryer lidhet pikërisht me detyrën e tij, pasi akuzohet se ka zbuluar akte dhe të dhëna sekrete. Ua ka dhënë informacionet sekrete trafikantëve të drogës. Ka tradhtuar punën e oficerëve të ndershëm. Ja ku kemi këtu vendimin e gjykatës. Ky person, me Edi Ramën bëhet shefi i trafiqeve të Korçës”, u shpreh Alibeaj.
Kreu i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë në PD tha se në pika kyçe që lidhen me drogën dhe transportin e saj, gjenden sot shumë persona me lidhje nepotike e lidhje të forta politike me Tahirin dhe Edi Ramën. “Ata janë bërë ura e kalimit të drogës dhe janë një prej hallkave kryesore në këtë biznes gjigant kriminal, ku Edi Rama qëndron në krye të skemës 30 për qind për çdo rrënjë. Fakte të konfirmuara tashmë edhe nga shërbimet sekrete italiane dhe gjermane.
Ky është realiteti sot. Shqipëria e mbuluar me drogë, një biznes kriminal që po asfikson ekonominë e ndershme dhe po sjell plagë e vrasje të përditshme. Shqipëria sot sundohet nga bandat e drogës së Edi Ramës, në bashkëpunim me drejtuesit kryesorë të policisë. Po kjo nuk është zgjedhja as dëshira e shqiptarëve. Shqiptarët do ta heqin nga qafa këtë lak të drogës dhe krimit. Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën”, tha Alibeaj.

faksimile 2

Artikulli paraprakTrupi i Marnikollaj u masakrua nga policia dhe u hodh nga kati tretë
Artikulli tjetërRama rikthen parullat e diktaturës në fasada