Spotify drejt pushimit nga puna të 17 për qind punonjësve të tij

Kompania suedeze Spotify ka njoftuar se, në përpjekje për të ulur kostot, do të pushojë nga puna 17 për qind të fuqisë punëtore, ose rreth 1500 punonjës.

Në një shënim mbi ndryshimet organizative të publikuar në faqen e internetit të Spotify, CEO Daniel Ek shkroi se duhej të merrte një vendim të vështirë sepse “rritja ekonomike është ngadalësuar në mënyrë drastike dhe kapitali është rritur në çmim“.

“Për të lidhur Spotify me qëllimet tona të ardhshme dhe për t’u siguruar që kemi madhësinë e duhur për sfidat përpara, kam marrë vendimin e vështirë për të reduktuar numrin total të punonjësve me rreth 17 për qind në të gjithë kompaninë,” shkroi Ek.

Ai shtoi se e kupton se si vendimi do të ndikojë në shumë individë që kanë kontribuar shumë në kompaninë, e cila aktualisht ka rreth 9000 punëtorë.

Sipas të dhënave më të fundit, kompania ka realizuar një fitim prej 65 milionë eurosh në tre muajt e shtatorit, që është hera e parë që ka një fitim tremujor në më shumë se një vit duke rritur çmimet e shërbimeve, ndërkohë që është rritur numri i abonentëve.

Që kur Spotify lançoi shërbimin e transmetimit audio, ka shpenzuar shumë para për rritjen e biznesit dhe ofrimin e përmbajtjes ekskluzive si podkaste të organizuara nga ish-presidenti i SHBA-së Barack Obama dhe gruaja e tij Michelle.

Gjithashtu, marrëveshja që bëri kompania me Princin Harry të Britanisë dhe gruan e tij Meghan Markle i kushtoi Spotify-it 25 milionë dollarë për vetëm 12 episode podkaste për dy vjet e gjysmë, duke bërë që ajo të përfundojë në qershor.

Spotify është një kompani e transmetimit audio e themeluar më 23 prill 2006 nga Daniel Ek dhe Martin Lorencon. Sakaq, është një nga ofruesit më të mëdhenj të shërbimeve të transmetimit të muzikës, me mbi 590 milionë përdorues aktivë mujorë, përfshirë 226 milionë abonentë, që nga shtatori 2023.

Artikulli paraprakDëmtimi i stadiumit ‘Air Albania’ nga tifozët në derbin Tirana-Partizani, 4 në pranga dhe 2 në kërkim
Artikulli tjetërKryeministri i Izraelit akuzohet për korrupsion, rifillon në kohë lufte gjyqi kundër Netanyahu