“Sqarimi” në dhomën private të lokalit që nisi luftën, Martini i plagosur në qafë

Teksa janë mësuar vetëm emrat e personave të plagosur dhe atij të vrarë, ende nuk ka asnjë të dhënë në lidhje me atentatorin apo atentatorët.
Ndërkaq, dëshmitarët okularë e më konkretisht, punonjësit e lokalit ku ndodhi edhe ngjarja e rëndë, kanë bërë me dije se plagosjet dhe vrasja nuk janë kryer nga persona që kanë ardhur jashtë lokalit.
Autorët, përfshirë edhe viktimat, kanë qenë duke biseduar në ambientet e brendshme të lokalit, në një prej dhomave VIP.
Nuk dihet se cila ka qenë tema e diskutimit që ka sjellë degradimin e situatës e më pas shkrehjen e armëve.
Kujtojmë se gjithçka ka ndodhur brenda lokalit në pronësi të Redi Popeskut, i cili ka ngelur i plagosur.
Gjithashtu i plagosur ka ngelur edhe Ervis Martinaj, jeta e së cilit është shpëtuar nga truproja, 26-vjeçari Rigers Gaxha, i cili ngeli i vdekur në vend.
Plumbave nuk u ka shpëtuar as Laert Hasa, mik i Ervis Martinaj, i cili ndodhej në të njëjtën dhomë me viktimat.
Dinamika
Ervis Martinaj, Eljon Hato dhe Fabiol Gaxha kanë qenë në të njëjtën tavolinë në dhomat “VIP” të lokalit, në kohën e atentatit.
Pas të shtënave me armë i vrarë mbeti 26-vjeçari Gaxha, që dyshohet se ishte truprojë i Martinajt, kurse ky i fundit dhe Laerta Hasa u plagosën dhe u dërguan me shpejtësi në Spitalin e Traumës.
Hasa mësohet se është në gjendje më të rëndë për jetën pasi ka marrë disa plumba në trup, kurse Martinaj mori një plumb në qafë por është ashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë e paqartë është ende se çfarë ka ndodhur me pronarin e lokalit, Redi Popeskun, pasi mbrëmjen e djeshme u njoftua se ishte plagosur dhe ishe dërguar në spital, por familjarët e tij e mohuan plagosjen e tij.
Ndërkohë që sot njoftohet se Popesku ka marrë vetëm një gërvishtje të lehtë nga atentati në lokalin e tij. Pas ngjarjes, Spitali i Traumës ku u dërguan të plagosurit u blindua si rrallë herë në historinë e tij, nga RENEA dhe FNSH-ja.
Martinaj mësohet se është dërguar në një spital privat pas ndërhyrjes së parë te Spitali i Traumës.
Mëngjesin e sotëm një tjetër person i plagosur me armë zjarri është paraqitur në spitalin e Traumës por nuk dihet ende nëse ai ka lidhje me atentatin e mbrëmshëm.
Kush është Ervis Martinaj
36-vjeçari Martinaj, i indur në Burrel dhe i rritur në Laç, një ish-efektiv policie është një personazh shumë i njohur për policinë. Ai u largua nga detyra pas operacionit të policisë kundër lojrave të fatit.
Në tetor të vitit 2013, Martinaj është akuzuar nga ish-shefi i repartit special të policisë, “Shqiponja”, Engjëllush Avdulaj, se e ka kërcënuar me jetë. 36-vjeçari ka qenë pronar i disa pika bastesh dhe kazinosh. Ai është i dyshuar si i përfshirë në disa ngjarje të rënda në vend, duke nisur që nga ekzekutimi i bankierit Artan Santo, pak metra larg vendit ku Martinajt iu bë atentati mbrëmë.
Emri i tij është përmendur në një përplasje me armë në Dhërmi në muajin korrik, ndërsa është dënuar me 1 vit e 4 muaj burg si i përfshirë në vrasjen e Enton Nikës dhe plagosjen e Ismet Gaxherrit në një lokal në Linzë të Tiranës në vitin 2015.
Emri i Martinajt është përmendur edhe në gjyqin ndaj Emiljani Shullazit. Dëshmitari Ylvi Beqaj është shprehur se Martinaj i ofroi 7 milion euro që të mos dëshmonte në gjyq. Ndërsa më pas, Beqaj tha se pasi nuk e kishte bindur me të holla e kishte kërcënuar se do e vriste.

Exit mobile version