“Stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, shumë i rëndësishëm “, ministri i Jashtëm britanik në Prishtinë: Mbështesim fuqishëm sovranitetin e Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme i Britanisë së Madhe, David Cameron po zhvillon një vizitë në Kosovë ku po mban edhe takime me krerët politikë.

Në një konferencë për mediat ai tha se ndodhet në Prishtinë për të mbështetur, promovuar dhe ndihmuar shtetin e Kosovës në të gjitha mënyrat që mundet.

Cameron ka mbërritur në Prishtinë mbrëmjen e djeshme, ndërsa ka takuar kryeministrin Albin Kurti.

Ndërkohë sot ka zhvilluar takim me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Në konferencën e përbashkët me ministren Gërvalla, Cameron u shpreh se ndodhet në Prishtinë për të shprehur mbështetjen, ndihmën dhe promovimin nga Britania e Madhe për shtetin e Kosovës.

“Ne folëm këtë mëngjes për sigurinë dhe rëndësinë e kontributin që mund të japim në këtë drejtim, duke pasur parasysh edhe rolin e madh që kemi në kuadër të KFOR-it”, tha ai.

Cameron bëri të ditur se kanë folur edhe për trajnimin e disa pjesëtarëve të FSK-së në Britani, çështjet ekonomike, luftimin e korrupsionit, etj.

“Ne jemi mbështetës të fuqishëm të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës….”, tha ndër të tjera, ministri britanik.

Sipas tij, stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është shumë i rëndësishëm dhe Britania e Madhe ka investuar shumë në këtë drejtim.

Ndërkohë ministrja e Jashtme u shpreh se në takim ka falenderuar homologun e saj britanik për mbështetjen e dhënë për Kosovën, para dhe pas luftës.

“Vura në pah edhe rolin qendror që ka pasur Mbretëria e Bashkuar në ndaljen e gjenocidit të Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës në vitin 1998 dhe 1999. Kosova për këtë do të jetë mirënjohëse përjetë”, ka deklaruar Gërvalla.

Exit mobile version