Stadiumi i Kamzës gati, Lushnja në tetor

Standardi i vendosur nga Zyra e Licencimeve në FSHF ka ndikuar jo pak në përmirësimin e infrastrukturës së futbollit shqiptar. Skuadrat që luajnë në Kategorinë Superiore duhet të plotësojnë kushtet e nevojshme për të pritur ndeshjet e shtëpisë dhe kjo i detyron debutuesit të përmirësojnë infrastrukturën. Kështu ndodhi me Luftëtarin sezonin e shkuar dhe kjo po ndodh aktualisht me Kamzën dhe Lushnjën. Skuadra nga periferia e kryeqytetit është gati për t’u rikthyer në shtëpi në një stadium të transformuar pas punimeve intensive të kryera gjatë verës.
Klubi ka përfunduar punimet dhe tashmë në stadiumin e Kamzës është gati gjithçka. Zyra e Licencimeve konfirmon se në datën 18 shtator, kur të luajë edhe ndeshjen e parë si pritëse, Kamza me shumë mundësi do të presë në stadiumin e saj Skënderbeun. Detaji i vetëm që duhet të plotësojë klubi është rruga hyrëse e autobusit të skuadrës mike, por kjo çështje do të zgjidhet brenda pak ditësh. Por nëse në Kamëz gjithçka është gati, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Lushnjën. “Roza Haxhiu” ishte një stadium pothuajse tërësisht i amortizuar dhe si pasojë koha në dispozicion të klubit për përfundimin e punimeve ishte më e vogël. Lagunarët do ta nisin sezonin në “Loni Papuçiu” të Fierit, por gjatë muajit tetor pritet që punimet të përfundojnë dhe ata ta rikthehen përfundimisht në shtëpinë e tyre për të luajtur pjesën e mbetur të sezonit.

Artikulli paraprakJashanica-Nimaga, 1 milion euro
Artikulli tjetërSkënderbeu nuk heq dorë: 150 mijë euro për Dokën