Në kampionat Interi niset mirë, në javën e parë mposht Xhenoan me rezultatin 2-0, falë golave të Nagatomos dhe Palasios. Në ndeshjen pasardhëse vjen fitorja në fushën e Katanias me shifrat 3-0 (shënojnë Palasio, Nagatomo dhe Alvarez). Në përfundim të sezonit, zikaltrit renditen në vendin e pestë. Interi i Roberto Mançinit ka një start të frikshëm, me pesë fitore në po aq ndeshje. Protagonist absolut do të jetë Stefan Jovetiç, vendimtar që prej sfidës së parë kundër Atalantës (goli i tij në minutat e fundit i jep fitoren Interit).
Në ndeshjen e dytë, zikaltrit ndeshen përballë Karpit, takim i luftuar deri në çastet e fundit dhe i fituar falë dopietës së malazezit (2-1 rezultati përfundimtar). Pas një faze të parë të shkëlqyer, në fund të kampionatit zikaltrit do të renditen në vendin e katërt të klasifikimit.
Interi i ri i Luçiano Spaletit niset si mos më mirë dhe me një protagonist të padiskutueshëm: kapitenin Mauro Ikardi. Java e parë e vendos përballë me Fiorentinën, ende një “kantier ndërtimi” pas merkatos, me largimin e shtyllave të ekipit Borha Valeros, Vesinos (të marrë pikërisht nga Spaleti për të rindërtuar Interin), Bernardeskit, Kaliniçit (që përforcuan respektivisht Juventusin dhe Milanin), për të përmendur vetëm disa prej largimeve.
Në Milano, ndaj skuadrës vjollcë, zikaltrit fitojnë me rezultatin 3-0, falë dopietës së Ikardit dhe golit të Perisiçit në fund të takimit. Në javën e dytë, Interi përballet me Romën në “Olimpico”, me verdhekuqtë që kalojnë të parët në avantazh me Edin Xhekon.
Mauro Ikardi është megjithatë (përsëri) në mbrëmjen e tij dhe realizon një tjetër dygolësh që përmbys rezultatin. Vesino firmos rezultatin përfundimtar 3-1.
Pas vendit të shtatë të sezonit të kaluar, pak shpresonin në një start në vendin e parë nga Interi. Megjithëse, duke parë fazën përgatitore të verës, mundësitë ishin më se të larta. Por, fitorja në fushën e Romës (ku zikaltrit në kampionat nuk fitonin prej 2008-ës së largët), ka qenë një injektim besimi për lojtarët dhe tifozët, të hidhëruar nga një merkato “low cost”. Prej 1997-ës deri më sot, në vetëm 6 raste Interi ka arritur të fitojë dy ndeshjet e para.
Ishte viti kur Ronaldo do të largohej drejt Realit të Madridit, por do të afrohej Hernan Krespo. Interi nis kampionatin me një fitore në Empoli, në një ndeshje të mbushur me emocione dhe gola (plot 7).
Rezultati final do të ishte 3-4 për zikaltrit (shënues Krespo, Havier Zaneti, Di Natale dhe Rekoba për Interin; Vanuki, Adani dhe Tavano për Empolin). Në fund të sezonit, zikaltrit do të vendoseshin në vendin e dytë në klasifikim, me 65 pikë. Një sezon më pas, në drejtimin e Interit konfirmohet Hektor Kuper, me të cilin zikaltrit fitojnë përsëri dy ndeshjet e para të kampionatit.