Leçe e Ylber Ramadanit barazoi pa gola pasditen e të hënës kundër Romës, Një rezultat tepër pozitiv për verdhekuqtë që iu nevojitet çdo pikë e mundshme në garën për mbijetesë.
Gjatë zhvillimit të ndeshjes, në minutën e 81-të, mesfushori i Kombëtares tonë bën një ndërhyrje të gabuar në dëm të Paulo Dibalës, duke u ndëshkuar me karton të verdhë. Një gjest që nuk është se nuk e kemi parë më përpara nga Ramadani, që bashkë me këtë kundër Romës, e çon numrin e kartonëve të verdhë në 12 këtë sezon. Ajo çka vlen për t’u përmendur është se është lojtari më me shumë kartonë të verdhë në këtë sezon të Serinë A, bashkë me Paredesin e Romës.
Kjo vjen për shkak të pozicionit të vështirë që ka mesfushori. Ai luan më tepër rolin e mesfushorit difensiv, pra detyrohet të bëjë shumë ndërhyrje dhe disa e tyre përfundojnë me kartonë. Nuk mund të themi se ky mund të jetë një aspekt negativ, sepse Ramadani ka treguar që me anë të këtyre ndërhyrjeve, ndalon avancimin e kundërshtarit duke mos e lejuar të shënojë, siç ishte rasti i sotshëm kundër Romës, ku këta të fundit nuk arritën të realizonin as edhe një gol të vetëm.