Berat Gjimshiti vazhdon të impresionojë me paraqitjet e tij spektakolare me fanellën e Atalantës. Kapiteni i Kombëtares shqiptare ishte i pakalueshëm në duelin e Champions-it ndaj Shtutgart, ku skuadra italiane triumfoi me rezultatin 0-2 në transfertë.
Gjimshiti u aktivizua titullar, teksa në fund u zgjodh lojtari më i mirë i ndeshjes nga “Sofa Score”. Shqiptari u vlerësua me notën 8, duke regjistruar 51 pasime të sakta nga 56 në total.
Ai fitoi 6 duele me kundërshtarët, si dhe spastroi 3 herë zonën. Interesant është fakti se Interi dhe Atalanta janë 2 skuadrat e vetme që nuk kanë pësuar gol deri tani në Champions.