Kylian Mbappe është talenti më i madh i futbollit botëror për momentin, të cilin po e kërkon gjysma e klubeve më të rëndësishme në Europë. Në krye të listës qëndron Reali i Madridit, që në varësi të vendimit të Kristiano Ronaldos për të qëndruar ose jo te Los Blancos, mund të bëjë një tjetër çmenduri në merkato.
Sulmuesi adoleshent i Monacos ka premisat e një futbollisti që do të bëjë epokë në futboll. Nuk është vetëm talenti, por edhe numrat që sugjerojnë një të ardhme të jashtëzakonshme për talentin që është vetëm 18 vjeç e gjysmë. Madje statistikat e tij janë edhe më të mira se ato të Kristiano Ronaldos në të njëjtën moshë.
Francezi debutoi zyrtarisht në futbollin profesionist kur ishte 16 vjeç e 11 muaj, ndërsa me Ronaldon kjo ka ndodhur kur ishte thuajse një vit më i madh, pra kur ishte 17 vjeç e gjysmë. Golin e parë zyrtar Mbappe e ka shënuar kundër Troyes në Ligën e Parë franceze në moshën 17 vjeç e gjashtë muaj, ndërsa Kristiano e realizoi 17 vjeç e tetë muaj ndaj Moirenses kur luante me Sportingun e Lisbonës.
Portugezi duhet të kalonte të 20-tat për të gjetur golin e tij të parë në Champions League, ndërsa Mbappe deri tani ka shënuar 6, të parin ndaj Manchester City-t në Etihat 18 vjeç e gjashtë muaj.
Francezi është nga ata talente të futbollit, që spikasin, përsëriten çdo 10 vjet. Është aktivizuar në 60 ndeshje zyrtare si profesionist, ndërsa Ronaldo në të njëjtën moshë regjistronte gati gjysmën e kësaj shifre, 31. Në moshën e Mbappe-së ylli i Realit kishte shënuar vetëm 5 gola si profesionist, ndërsa sulmuesi aktual i Monacos ka arritur shifrën 27. Edhe në asiste është në favor në raportin 10 me 7.
Gjithshtu ka debutuar në një moshë shumë të re me kombëtaren, 18 vjeç e tre muaj, ndërsa CR7 e veshi për herë të parë fanellën e Portugalisë 18 vjeç e 9 muaj. Ronaldo ka përparësi në shifra vetëm në kategoritë inferiore, me 15 finalizime përkundrejt 7 të Mbappe.
Francezi mund të bëjë hapin e madh, për t’iu bashkuar një prej klubeve më të mëdha në Europë. Ai është një mrekulli e futbollit dhe ka idhull pikërisht Kristiano Ronaldon, i cili mund t’i lërë trashëgiminë te Reali i Madridit.
Paris Saint-Germain është duke u përgatitur që të shpenzojë së paku 240 milionë euro në transferime gjatë verës. Talenti i Monacos, Kylian Mbappe dhe ai i Milanit, Gianluigi Donnarumma, janë prioritetet kryesore të francezëve, raporton “Sport”.
Sipas kësaj të përditshme, skuadra nga Ligue 1 do të ofrojë 135 milionë euro për Mbappe-në dhe 39 milionë për portierin e Milanit, Donnarumma.
Gjithashtu në listën e PSG-së janë edhe Fabinho, për të cilin kanë bërë gati 42 milionë euro, si dhe mbrojtësi i Borussia Dortmund, Raphael Guerrerro, për të cilin PSG-ja fillimisht do të ofrojë 23 milionë euro. Synimi i PSG-së është Liga e Kampionëve, andaj numri një i klubit, Nasser Al-Khelaifi, ka vendosur seriozisht të hapë arkat për të bërë një merkato të fuqishme.