Momenti i shumëpritur për të gjithë shqiptarët tashmë ka mbërritur. Mesditën e kësaj të shtune në stadiumin e “Lens”, Bollaert Dellelis, kuqezinjtë e Gianni De Biasit do të bëjnë debutimin e tyre historik në një kampionat Europian. Dëshira për ta nisur me një rezultat pozitiv europianin francez në kampin e kombëtares shqiptare është e madhe, por përballë një përfaqësueseje si Zvicra kuqezinjtë nuk do të kenë një mision të thjeshtë. Helvetët gjithmonë kanë ditur të marrin maksimumin në sfidat që kanë zhvilluar ndaj Shqipërisë dhe statistikat flasin tërësisht në favor të tyre. 6 herë janë përballuar mes tyre në të kaluarën kombëtarja kuqezi dhe Zvicra, teksa 5 sfida janë fituar nga helvetët dhe vetëm 1 ka përfunduar në barazim. Gjithçka ka nisur me kualifikueset e Kupës së Botës, Angli 1966, me Shqipërinë që pësoi dy humbje nga Zvicra në muajt prill dhe maj të 1965-ës. Sfida e parë e zhvilluar në Tiranë u fitua me rezultatin 0-2 nga përfaqësuesja helvete, ndërsa disa javë më pas, Zvicra fitoi 1-0 në shtëpi edhe takimin e dytë. Që kuqezinjtë dhe Zvicra të përballeshin sërish duheshin pritur, eliminatoret e Euro 2004.
Në 12 tetor të 2002-it, Kombëtarja kuqezi ka regjistruar të vetmin rezultat pozitiv në ndeshjen ndaj Zvicrës, pasi barazoi 1-1 në “Qemal Stafa”. Golit të Murat Yakin iu përgjigj Edvin Murati. Në 11 qershor të një viti më pas edhe pse zhvilloi një ndeshje shumë të mirë, Shqipëria që në atë periudhë drejtohej nga gjermani Briegel u mposht në Gjenevë me shifrat 3-2 nga përfaqësuesja helvete. Golat për kuqezinjtë i realizuan Altin Lala dhe Ervin Skela. Për të ardhur te dy sfidat e fundit të vlefshme për eliminatoret e Kupës së Botës, Brazil 2014-të. Me Gianni De Biasin në stol, Shqipëria pësoi një tjetër humbje nga Zvicra në 11 shtator të vitit 2012-të. Goli i Shaqirit dhe finalizimi i Gokhan Inler nga pika e bardhë e penalltisë, i dhanë fitoren Zvicrës. 13 muaj më pas në “Qemal Stafa” ishin sërish helvetët ata që festuan me Shaqirin që ndëshkoi sërish vendin e tij të origjinës, ndërsa Lang vulosi fitoren e 5-të të Zvicrës në ndeshjet ndaj Kombëtares kuqezi. Goli i Salihit nga penalltia i vlejti thjeshtë për statistika, Shqipërisë.
5 humbje dhe vetëm 1 barazim, statistikat nuk janë aspak në favor të kuqezinjëve, por këtë herë situata ndryshon, sepse nuk luhet më në një fazë eliminatore, por në finalet e një kampionati europian. Në futboll kurrë mos thuaj kurrë dhe të gjithë shqiptarët në orën 15 të kësaj të shtune do të kryqëzojnë gishtat që Kombëtarja kuqezi të arrijë fitoren e parë ndaj Zvicrës, në ndeshjen më të rëndësishme deri tani mes tyre.