Statistikat/ Rritja e punësimit në Shqipëri është ngadalësuar në gjysmën e parë të vitit!

INSTAT ka vonuar publikimin e treguesve të punësimit për tremujorin e parë dhe të dytë 2024 që dalin nga anketa e Forcës së Punës për ti përputhur ato me rezultate reja të Censit 2023, por Banka e Shqipërisë vlerësoi se punësimi ka pësuar një rritje me ngadaltë në gjysmën e parë të vitit 2024.

 

Statistikat më të fundit të disponueshme për tremujorin e katërt të vitit 2023, dëshmojnë për një punësim të rritur me 0.6% dhe normë papunësie në nivelin 10.7%.

Në mungesë të statistikave nga Anketa e Forcave të Punës (AFP) Banka e Shqipërisë përdori të dhëna alternative për të përafruar ecurinë në tregun e punës përgjatë pjesës së parë të vitit 2024.

Sipas Bankës statistikat afatshkurtra dhe treguesit administrativë të tregut të punës flasin për rritje më të ngadaltë të punësimit, në vijim të prirjes së evidentuar edhe përgjatë vitit 2023.

Në linjë me këto trende, treguesit e vrojtimeve tregojnë se pritjet e bizneseve për punësimin janë zvogëluar gjatë tremujorit të parë, ndërkohë që situata vlerësohet e përmirësuar gjatë tremujorit të dytë të vitit aktual. Nga ana e konsumatorit, pritjet janë për norma më të ulëta të papunësisë përgjatë gjysmës së parë të vitit 2024.

Kostot e punës për njësi në tremujorin e dytë janë zgjeruar në 4.4%, nga 5.4% një tremujor më parë. Ngadalësimi i normave të rritjes është shkaktuar nga një rritje e përshpejtuar e produktivitetit të punës, e cila ka kompensuar një zgjerim më të shpejtë të pagës reale në sektorin privat, vlerësoi BSH.

Treguesi i punësimit ndoshta do të pësojë ndryshimin me të fortë nga të dhënat e reja të Cens 2023.

Popullsia në moshë pune 15-64 vjeç është reduktuar në mënyrë të ndjeshme në periudhën ndërmjet dy censeve 2011-2023 sipas të dhënave të INSTAT.

Të dhënat paraprake nga rezultatet e cens 2023 tregojnë se popullsia në moshë pune ishte 1,555,080 persona, nga 1,903,987 me rënie 18.3% në krahasim me të dhënat e cens 2011.

Rënien më të madhe të popullsisë në moshë pune e kishin grup-moshat 15 deri në 19 vjeç, të cilat pësuan tkurrje me 46.8% dhe grup-mosha 20-24 vjeç që u reduktuan me 41%.

Grup-moshat me rënie të fortë në popullsinë në moshë pune ishin 25-29 vjeç me rreth 25%, 40-44 vjeç me 25.6% dhe 45-49 vjeç me 25.4%.

Në të kundërt, popullsia në moshë pune në prag pensioni 60-64 vjeç ka shënuar rritje me 48.8% dhe grup-mosha 45-59 vjeç, rritje me 9.6%

Reduktimi i popullsisë në moshë pune do të ulë treguesit e shkallës së dembelizmit në Shqipëri dhe do të ndryshojë në mënyrë të konsiderueshme treguesit e punësimit.

Në fund të vitit 2023, ishin të punësuar zyrtarisht 1,243,085 persona në moshën 15-64 vjeç, të cilët përbëjnë 80% të popullsisë në moshë pune./Monitor

Exit mobile version