Të mërkurën, Kombëtarja shqiptare zhvilloi stërvitjen e fundit të grumbullimit në Bad Waltersdorf, të Austrisë. Nëse për seancën e paradites, stafi teknik kishte parashikuar më tepër ushtrime fizike, gjatë pasdites puna u përqendrua te taktika. Stërvitja u zhvillua nën drejtimin e të zakonshmit Paolo Tramezzani, me numrin 2 të stolit kuqezi që orientonte lojtarët në fushë për mënyrën si duhej të realizoheshin ushtrimet. Aty ishin parashikuar situata loje, me qarkullimin e topit në zona të ngushta, për të ndërtuar aksione nga mbrojtja deri në sulm dhe për t’i realizuar daljet në mënyrë të shpejt dhe me sa më pak takime. Zv/trajneri Tramezzani u shfaq mjaft kërkues përsa i takonte detyrave të lojtarëve.
Direktiva për ata që duhet të krijonin hapësira për t’u shërbyer me top dhe mënyra e spostimit të ekipit në tërësi në momentet kur topi kalonte në krahë, apo kur ishte në zotërimin e mesfushorëve të qendrës. Të gjitha aksionet, ku në fushë ishin vendosur edhe pengesa të palëvizshme për të kanalizuar manovrat, finalizoheshin me goditje drejt portës.
Ushtrimet taktike u zhvilluan nën vëzhgimin e trajnerit Gianni De Biasi, që në një pjesë të konsiderueshme ka mbajtur shënime rreth performancave të futbollistëve. Në fund të stërvitjes, stafi teknik u përqendrua te finalizimet, me Ergys Kaçen që u pozicionua jashtë zonës dhe shërbente asist për tre sulmuesit, Cikalleshi, Balaj e Sadiku.
Kjo ishte stërvitja e fundit në Austri, me skuadrën që pasditen e së enjtes do të udhëtojë drejt Italisë, për miqësoren me Ukrainën. Fluturimi drejt Bergamos është parashikuar në orën 15:00, ndërsa në orën 19:00 kuqezinjtë do të kryejnë stërvitjen e fundit përpara ndeshjes, në stadiumin “Atletti Azzuri” të Bergamos.
Një eveniment prestigjoz si europiani i futbollit ndoshta është risi për një skuadër si Kombëtarja Shqiptare, por djemtë kuqezi nuk e humbasin kontaktin me realitetin dhe detyrimet që rrjedhin si pasojë e përfshirjes në kampionatin e më të mirëve të kontinentit. E tillë është edhe ndalesa e detyrueshme përpara objektivit të aparatit fotografik për fotot zyrtare me kostume dhe uniformat e Shqipërisë në Euro 2016.
Në qendrën stërvitore të Austrisë, 23 të besuarit e De Biasit dhe stafi drejtues pozuan për fotot që do të jenë inazhi zyrtar i Shqipërisë në Francë. Lojtarët u vendosën të gjithë në radhë për të stampuar imazhin e tyre në posterat që do të jenë edhe imazhi zyrtar i Shqipërisë. Zyra e Shtypit të Federatës Shqiptare të Futbollit bën me dije se, procedura deri në publikimin e posterave do të zgjasë disa ditë.