Kombëtarja Shqiptare zhvilloi seancën e fundit stërvitore në “Perros Guirec” në prag të ndeshjes me Zvicrën. Pasditen e kësaj të enjte, trajneri De Biasi kishte rezervuar kryesisht një stërvitje me ngarkesë të ulët fizikët, me shumë ushtrime relaksuese pas disa ditëve të ngarkuara fizike. Ndërkohë, që në pjesën e dytë larg syve të kamerave, trajneri kreu disa ushtrime taktike, duke përdorur dhe disa nga skemat që mund të aplikojë përballë Zvicrës. Gjatë ditës, ndërkohë 10 futbollistë të kombëtares, Balaj, Lila, Veseli, Basha, Sadiku, Gashi, Xhaka, Ajeti, Roshi, dhe Mavraj iu nënshtruan testit të zakonshëm të antidopungut të UEFA-s.
Kjo ishte stërvitja e fundit e kuqezinjve në stadiumin “Iv Lezhano” përpara ndeshjes së datë 11 qershor. Kombëtarja do të lërë hotelin në orën 11:00 të kësaj të premteje, ndërsa do të niset nga aeroporti i Lanion rreth orës 11:30 për në Lille, qytet që gjendet pranë Lens ku do të luhet dhe sfida e debutimit të Shqipërisë në Europian. Stërvitja në stadiumin “Bollaert Delelis” është programuar për në orën 18:30 ndërsa në orën 17:45 përpara mediave në konferencën e zakonshme për shtyp do të dalë trajneri Gianni de Biasi dhe kapiteni Lorik Cana.