Në ditën e pestë të grumbullimit në Bad Waltersdorf, paraditen e së premtes Kombëtarja shqiptare zhvilloi seancën e tetë stërvitore me grupin thuajse të plotësuar. Fokusi i stafit teknik të kuqezinjve ishte te taktika. Pas ushtrimeve me dhe pa top, skuadra punoi e ndarë në disa grupe.
E ndërsa një pjesë e lojtarëve te mesfushës dhe sulmit si Lila, Cikalleshi, Shaka e Taulant Xhaka luajtën tenis me këmbë, vëmendja ishte te mbrojtësit, që nën drejtimin e zv/trajnerit, Paolo Tramezzani zhvilluan ushtrime taktike. Tetë mbrojtësit u ndanë në dy grupe, ku fillimisht në fushë zbritën Hysaj, Cana, Mavraj e Agolli, i cili zhvilloi stërvitjen e parë me grupin, pas punës së diferencuar të një dite më parë.
Pas tyre ishte radha e Rrahmanit, Ajetit, Gjimshitit dhe Alijit. Nën sytë e Gianni De Biasit, që nga tribuna vëzhgimonte me kujdes çdo lëvizje, ushtrimet taktike u zhvilluan fillimisht pa top, shërbenin për të punuar me orientimin e repartit difensiv, zhvendosjen e skuadrës në situata loje, si edhe daljen përpara për të praktikuar pozicionin jashtë lojë.
Nga praktika pa top, gjithçka kaloi në punë të mbrojtësve me topin. Si zakonisht kapiteni Lorik Cana jepte udhëzime për shokët e skuadrës, ndërsa ushtrimet u bënë më komplekse. Jo thjesht lëvizje të koordinuara dhe dalje e skuadrës përpara, por edhe manovra të mirëfillta loje, me kombinime dhe vertikalizime me zbritjen në fushë të mesfushorëve dhe sulmuesve, si Roshi, Lenjani, Gashi e Cikalleshi.
Edhe pse Armando Sadiku kishte 25-vjetorin e lindjes, askush nuk mendonte për festë. Vëmendja te puna taktike lidhet me afrimin e testit të parë miqësor përpara startit të Euro 2016. Të shtunën, më 29 maj, Shqipëria do të luajë përballë Katarit në “Hartberg Stadion” të Austrisë, në orën 17:30.