Jim Edwards
Tani që presidenti Donald Trump ka shtuar Steve Bannon në Këshillin e Sigurisë Kombëtare (pasi ka hequr drejtuesin e Inteligjencës Kombëtare dhe kreun e Shefave të Stafit), duhet të analizojmë edhe një herë mënyrën se si Bannon shikon botën dhe specifikisht si shikon sigurinë kombëtare.
Ish-kreu i Breitbart i ka diskutuar këndvështrimet e tij gjatë një takimi me Institutin e Dinjitetit Kombëtar, një grup konservator fetar që mbajti një konferencë në Vatikan në vitin 2014. Një regjistrim i takimit është përftuar nga “BuzzFeed”. Gjatë këtij takimi, Bannon ka përshkruar një peizazh apokaliptik të historisë moderne. Ai ka thënë se Perëndimi ka dalë vetëm kohët e fundit nga “Epoka e Errësirës” që ishte fillimi i shekullit 20. Edhe pse kapitalizmi ka nxitur një epokë të shkurtër prosperiteti, tha ai, po kërcënohet nga ai që e quan “barbaritet i ri” të terrorizmit islamik, një kërcënim që mund të zhdukë shekuj të tërë zhvillimi.
“Ndodhemi në fazat fillestare të një konflikti brutal dhe të përgjakshëm”, tha ai gjatë konferencës. “Barbariteti i ri që po nis, mund të çrrënjosë plotësisht gjithçka që kemi arritur gjatë 2 mijë, 2,500 viteve të fundit”. “Këto këndvështrime janë veçanërisht interesante për shkak të urdhrit ekzekutiv të firmosur ditën e premte nga presidenti Trump, që ndalon përkohësisht udhëtimin nga shtatë vende të mëdha myslimane dhe frenon përfundimisht praninim e refugjatëve sirianë në SHBA.
Ai e ka quajtur shekullin 20 “Epokën e re të errësirës” të vdekjes dhe shkatërrimit të nxitur nga Lufta e Parë Botërore. “Ajo luftë nxiti një shekull të tërë barbarizmi të paprecedent në historinë e njerëzimit. 180 deri 200 milionë njerëz janë vrarë gjatë shekullit 20 dhe mendoj se sot, qindra vite nga atëherë, ne jemi produkt i asaj kohe. Ne jemi fëmijët e barbaritetit. Kjo mund të shihet si epoka e re e errësirës”.
Epoka e Errësirës, tha ai, ndaloi vetëm pas ngritjes së prosperitetit perëndimor. Por thotë gjithashtu se kapitalizmi po kërcënohet sot nga “barbariteti i ri”. “Ne jemi në fazat fillestare të një konflikti tepër brutal dhe të përgjakshëm. Barbariteti i ri po nis dhe do të shfarrosë gjithçka që kemi arritur”.
Ai thotë se Shteti Islamik do të përhapet në të gjithë Perëndimin po të mos frenohet. “Ne ndodhemi në një luftë të vërtetë kundër fashizmit islamik xhihadist. Unë mendoj se kjo luftë po përhapet si kancer, më shpejt nga sa mund të përballojnë qeveritë. Ndodhemi në fazat fillestare të një konflikti global dhe nëse nuk bashkohemi si partnerë me vendet e tjera, ky konflikt do të na përpijë. Shteti Islamik tashmë ka një profil në Twitter ku flet se si do ta kthejë Amerikën në një “lumë gjaku” nëse do të jetë e nevojshme. Më besoni që kjo ka për të ndodhur në Europë. Kjo do të ndodhë në Europën Qendrore dhe Perëndimore, do të arrijë tek Mbretëria e Bashkuar”.
Ai e përshkruan terrorizmin një “konflikt global”. “Duhet të përballemi me një fakt të pakëndshëm, që po zien një luftë madhore, një luftë që do të jetë globale. Do të zhvillohet në shkallë globale dhe teknologjia, media dhe aksesi i ditëve të sotme në armët e shkatërrimit në masë, do të shkaktojë një konflik global me të cilin do të duhet të përballemi. Çdo ditë që refuzojmë ta shikojmë situatën ashtu siç është, është një ditë për të cilën do të pendohemi thellë”.
Ai thotë se nacionalizmi do të mbrojë Perëndimin. “Sovraniteti individual i një vendi është diçka e mirë dhe e fuqishme. Unë mendoj se vendet e fuqishme dhe lëvizjet e forta nacionaliste i bëjnë fqinjët më të fortë dhe ndërtojnë një Europë Perëndimore dhe Shtete të Bashkuara më të pushtetshme”.
Lufta, sipas tij, do të jetë një pikë kthese disa shekuj më vonë. “Kur njerëzit pas 500 vitesh të mendojnë rreth ditëve të sotme, të mendojnë për veprimet që ne kemi ndërmarrë, çfarë do të thonë për ne? Çfarë do të thonë për mënyrën se si kemi vepruar në fillim të kësaj krize?