Armiku më i dashur i kryeministrit të Hungarisë Viktor Orban quhet George Soros. Sipas Orbanit, miliarderi amerikan me origjinë hungareze-hebreje, synon të shkatërrrojë kulturën kristiane evropiane dhe kombet evropiane. Orban pohon se Soros për këtë qëllim po përpiqet të stiumulojë invazionin e miliona myslimanëve në kontinent. “Plani Soros” e quan kryeministri hungarez këtë gjoja synim të Sorosit.
“Plani Soros” paraqet një propagandë gënjeshtrash, me citate të trilluara nga Sorosi dhe një realitet të shtrembëruar. Por kjo nuk e pengon Orbanin dhe partinë qeveritare Fides që me muaj të tërë të zhvillojë një fushatë kundër Sorosit dhe gjoja planit të tij. Qeveri hungareze shkon tani edhe një hap më larg. Ajo do të miratojë paketën ligjore “Stop-Soros”, siç tha ministri i Brendshëm Sándor Pintér.
Masat ndëshkuese
Paketi i qeverisë hungareze synon pengimin e punës së organizatave joqeveritare – instancën e fundit për kontrollin e pushtetit në Hungari. Paketi ka tri qëllime:
– Të gjitha OJQ, të cilat në çfarëdo forme kanë të bëjnë me “migrimin ilegal”, duhet të regjistrohen në gjykata dhe të paraqesin raportin e detajuar për aktivitetetet.
– OJQ-të të cilat kanë të bëjnë me “migrimin ilegal” dhe më shumë se gjysmën e mjeteve i marrin nga bota e jashtme, duhet të paguajnë një taksë shtresë prej 25%.
– Shtetasve hungarezë të cilët dyshohen për mbështetjen e “migrimit ilegal”, mund t’u ndalohet futja në një zonë prej tetë kilometrash në afërsi të kufirit Shengen; shtetasve të huaj që dyshohen për këtë vepër mund t’u ndalohet futja në Hungari.
Nëse Parlamenti i Hungarisë i miraton këto masa, Hungaria edhe më shumë do të largohet nga vlerat juridike në Bashkimin Evropian dhe afrohet me masat represive të Rusisë, mendojnë kritikët. “Dyshoj se këto masa janë në harmoni me vlerat kushteteuse të vendeve të BE”, thotë politologu Attila Tibor Nagy, në bisedë me Deutsche Ëellen. “Në një shtet juridik, organizata civile kanë të drejtë të punojnë të lira. Ndërsa masat e këtilla nuk lejojnë këtë punë.”
Pranimi sekret i refugjatëve
Përfaqësuesit e organizatave civile në Hungari dyshojnë se paketi më i ri i ligjeve mund të miratohet në këtë formë. “Qeveria po përpiqet sërish që të ndalojë zërat kritikë”, thotë Máté Szabó, drejtor i “Shoqatës për të Drejta dhe Liri” (TASZ), një prej organizatave më të rëndësishme joqeveritare në Hungari.
Paketi “Stop-Soros” e ka arritur efektin publik, sepse në Hungari mbahen zgjedhjet parlamentare me 8 prill. Kritikët thonë se zgjedhjet në Hungari janë të lira, por kushtet nuk janë fer për të gjithë. Megjithatë edhe në këto kushte Orban nuk është i sigurt se partia e tij do të fitojë 2/3 e votave. Ndaj ky paket shënon polarizimin maksimal në fushatën elektorale.
Paketi ligjor vjen në një moment shumë të pavolitshëm për qeverinë, sepse një sekretar shteti pa dashur ka bërë të ditur se qeveria ka pranuar në mënyrë “sekrete” rreth 1.300 refugjatë – më shumë se kuota e refuzuar prej qeverisë hungareze prej 1.294 refugjatësh.