“E ardhmja e portës së Lazios është e gjitha për të që nga ajo mbrëmje e “San Siros” me debutimin e papritur”. Me këtë fjali e nis shkrimin rreth talentit Tomas Strakosha faqja e specializuar, “Lalaziosiamonoi” që e konsideron të riun shqiptar si e ardhmja e portës bardhekaltër. Djali i legjendës së kombëtares, Foto Strakosha, siç thekson edhe faqja e internetit, ka arritur të pasojë trashëgiminë e familjes. Në një intervistë për kanalin zyrtar të Lazios, Tomas Strakosha e pranon se ishte i ati, ai që i injektoi dashurinë për këtë sport.
“Jam dashuruar me këtë sport, duke parë tim atë. Kam nisur të luaj që në moshën 4-vjeçare dhe gjithmonë kam qëndruar në portë. Më pëlqejnë përgjëgjegjësitë që të jep ky rol, sepse mund të ndikosh në fitoren apo humbjen e një ndeshjeje. Kujtoj kur në vitin 1999, babai im luajti në Kupën e Kupave kundër Lazios kur ishte pjesë e Panionios. Më thotë përherë se të luaje kundër një skuadre të tillë ishte një emocion shumë i madh. E kam nisur karrierën pikërisht te Panionios, por pjekurinë e arrita te Lazio. Bashkimi me skuadrën e parë që në moshën 17-vjeçare ishte një arritje e madhe. Gjatë sezonit të parë me të rinjtë e Lazios fitova titullin, por nuk do të harroj asnjëherë edhe suksesin e 26 majit në finalen e Kupës së Italisë kundër Romës”, thekson në intervistën e tij 21-vjeçari i Kombëtares Shqiptare.