Strakosha: Juventusin mund ta mposhtim

Pas gati një jave, Lacio do të zbresë në fushë për t’u përballur me Juventusin në finalen e Kupës së Italisë. Mirëpo, përpara është ndeshja e kampionatit me Fiorentinën. Pavarësisht se është siguruar Europa Liga, gardiani shqiptar bën profesionistin. “E radhës është Fiorentina dhe duhet të marrim maksimumin. Duam që të arrijmë rekord pikësh këtë sezon dhe për këtë, duhet të jemi të përqendruar në çdo ndeshje”, është shprehur fillimisht Strakosha përballë fëmijëve, i angazhuar në projektin “Lacio nëpër shkolla”.
“Juventusi mund të mposhtet”, i tillë është mendimi i Thomas Strakoshës i pyetur në lidhje me përballjen kundër bardhezinjve që tashmë kanë siguruar finalen e Championsit, duke eliminuar edhe ekipe si Barcelona. “Në futboll mund të ndodhë çdo gjë dhe ne mund të fitojmë kundër bardhezinjve, edhe pse Juve ka treguar se është skuadër e madhe që ka mundur Barcelonën dhe është në finale të Championsit. Ne duhet të japim 100% për të triumfuar”, ka vijuar shqiptari. Në këtë pikë, ai flet si të ishte veteran dhe me shumë përvojë. “Këtu ndihem mirë. Sa herë që trajneri më thërret, mundohem të tregoj më të mirën që di të bëj. Unë stërvitem për të ndihmuar skuadrën, por ai vendos kush luan titullar. Sa i përket rinovimit jemi në rrugë të mbarë, shumë afër. Momenti më i bukur i sezonit? Për mua është pritja ndaj Xhekos në kampionat. E them këtë sepse ishte në një ndeshje aq shumë të rëndësishme si derbi”, ka deklaruar portieri i Lacios që e ka bërë më së miri rolin e titullarit.
Shqiptari ka treguar edhe ndryshimet në karrierën e tij. “Seria B më ka shërbyer, sidomos në aspektin e mendësisë në ndeshje. Jam maturuar shumë. Tashmë, një gabim mbetet aty dhe mendoj gjithmonë të përmirësohem për të ardhmen. Entuziazmi? Të shoh 40 mijë tifozë që më mbështesin është e jashtëzakonshme për mua, një motivim i madh për të vazhduar përpara. Personalisht, nuk e kam pritur diçka të tillë, po jetoj një ëndërr”, ka përfunduar gardiani i Lacios dhe kombëtares shqiptare.

Artikulli paraprakPlas te Barcelona
Artikulli tjetër“Senatorët” e Bajern të pasigurt