Strakosha, ndër më të mirët

Ndaj Milanit në “San Siro”, 20 shtatorin e vitit të kaluar, Thomas Strakosha bëri debutimin në Serinë A me Lazion duke spikatur që në ndeshjen e tij të parë. Disa muaj më pas sërish ndaj Milanit këtë herë në “Olimpico” të Romës, portieri shqiptar u konfirmua si një talent i padiskutueshëm mes shtyllave. Edhe pse është vetëm 21 vjeç Strakosha ka shumë personalitet në fushë dhe mbi të gjitha është i sigurtë në çdo ndërhyrje që bën, duke i ngjarë gjithnjë e më shumë babait të tij. Ajo ndaj kuqezinjve ishte ndeshja e 8 për ish-portierin e Salernitanës në këtë sezon të Serisë A, me Strakoshën që falë formës së shfaqur kundër Milanit, ka rritur ndjeshëm kuotat e tij për të zëvendësuar Etrit Berishën te kombëtarja shqiptare në ndeshjen e 24 marsit ndaj Italisë në Palermo.
Gianni de Biasi po vëzhgon me vëmendje dhe Strakosha po përfiton nga dëmtimet e njëpashnjëshme të Marchettit për t’u treguar të gjithëve se meriton të jetë ai portieri titullar i Lazios. Ai djalë ka shumë klas dhe jo më kot Simone Inzaghi, njeriu që e ka stërvitur edhe te skuadra e të rinjve të Lazios beson jashtëzakonisht te 21-vjeçari shqiptar. Në barazimin 1-1 ndaj Milanit edhe pse zbriti në fushë papritur duke patur parasysh dëmtimin që pësoi Marchetti pak minuta para fillimit të sfidës, Strakosha u shfaq shumë i përgatitur duke qenë një nga më të mirët në fushë për skuadrën bardhekaltër.
Paraqitja e portierit të kombëtares kuqezi u vlerësua me notën 6,5 nga mediat italiane. “Ka kuptuar që mund të luajë nga një moment në tjetrin, madje edhe atëherë kur më pak e pret. Është gjithmonë gati. Pasalic provoi ta vendoste në vështirësi me një diagonale me të majtën, por nuk ia arriti qëllimit sepse ai u përgjigj në mënyrë fantastike, madje duart e tij të gjata evituan edhe një gol të sigurtë me portën e boshatisur. Shumë i kujdesshëm në pjesën e dytë në momentin e goditjes së Suso-së, ndërkohë që nuk mund të bënte asgjë në rastin e golit të Suso-së”. Është ky përshkrimi që mediat italiane i bëjnë paraqitjes së portierit shqiptar, me kuqeziun që u konfirmua edhe një herë tjetër si një nga zbulimet më të bukura të Lazios në këtë sezon.

Exit mobile version