Lazio me një këmbë në finalen e madhe të Kupës së Italisë bashkë me Tomas Strakoshën, që falë një forme të jashtëzakonshme të treguar në derbin e parë gjysmëfinal ndaj Romës, ndihmoi skuadrën e tij të triumfonte 2-0 ndaj rivalëve të të njëjtit qytet. Pas 4 viteve pa fitore në derbi, Lazio ashtu si në finalen e 4 viteve më parë dominoi Romën, por nuk e ka mbyllur ende kapitullin kualifikim, pasi rreth një muaj më pas do të luhet edhe ndeshja e kthimit. Lazio zbriti në fushë me Strakoshën titullar që veshi dorezat për ndeshjen më të rëndësishme të karrierës. Menjëherë Roma e rrezikshme me Dzekon që në minutën e dytë, ndërsa Lazio i mbylli mirë hapësirat në mbrojtje dhe tentoi të shënjestronte portën kundërshtare me Milinkoviç. Serbi i papërmbajtshëm, sepse në të 29-ën zhbllokoi sfidën pas një topi të dhuruar nga Felipe Anderson.
Roma pa enegji dhe fantazi, por për më tepër pa fuqi sulmuese nuk e vendosi asnjëherë në vështirësi serioze gjatë pjesës së parë portierin shqiptar të Lazios. Asnjë moment pushimi në këtë duel ku bardhekaltërit ishin më të qartë duke rrezikuar disa herë portën e Romës dhe gjetën golin e dytë në minutën e 78 falë talentit të Keita që dhuroi një top të artë për Immobile.
Tomas Strakosha deri në minutën e 80 ishte thjesht spektator në fushë, por ishte ky momenti kur bëri pritjen e sezonit që mund të rezultojë një pikë kyçe në karrierën e tij. Një fitore e rëndësishme për skuadrën e Simone Inzaghit që tashmë shkon e qetë drejt ndeshjes së kthimit për të shpëtuar sezonin, ndërsa Roma thyhet në derbi pas 7 ndeshjesh dhe i largohet objektivit për ta mbyllur sezonin me trofe.