Strakosha zhvendoset portier i dytë te Lacio

Tomas Strakosha ngroh dorezat për t’u bërë portieri i dytë në hierarkinë e skuadrës së Lazios. Largimi i Etrit Berishës drejt Atalantës duket se po ndien pozitivisht për të riun shqiptar që ishte shumë pranë transferimit te Cardiff, por largimi i Berishës e bllokoi në Romë. Sipas “Corriere Dello Sport”, kroati Vargiç që u transferua këtë verë nga skuadra e Splitit, nuk e ka bindur trajnerin Simone Inzaghi, i cili mendon t’i besojë rolin e portierit të dytë Strakoshës, i cili ndodhet prej kohësh në radhët e Lazios edhe pse nuk është aktivizuar ende asnjë minutë me fanellën bardhekaltër.
Cardiffi i premtoi 21-vjeçarit një kontratë 3-vjeçare, por drejtori sportiv, Igli Tare e blindoi në Romë dhe tashmë me mungesën më të afërt të Federicho Marchettit për të paraqitet një mundësi e artë. Në këtë mënyrë, debutimi i Strakoshës në Serinë A është shumë pranë, tashmë thjesht i riu shqiptar duhet të presë që Marchetti të ngrejë flamurin e bardhë për t’i ndezur dritën jeshile gardianit kuqezi që këtë javë për herë të parë u përfshi edhe në listën e trajnerit të Kombëtares Shqiptare, Gianni De Biasi.
Ndërkohë, transferimi i Etrit Berishës te Atalanta, ku nuk është larguar ende titullari i portës, Marko Sportielo, u duk si një autogol i gardianit të përfaqësueses kuqezi, duke shkuar në një klub ku gjendej një portier i afirmuar, Berisha do të duhej të luftonte përsëri për vendin në formacion, ashtu si te Lacio. Xhovani Sartori, drejtori sportiv i Atalantas, duke folur për “Radio Incontro Olympia”, foli edhe rreth temës së transferimit të shqiptarit. “Berisha si titullar? Nuk më takon mua të flas mbi atë që luan apo jo, por nëse e kemi marrë, ka një arsye”, u shpreh ai.

Exit mobile version