Strasburgu 22 milionë euro gjobë qeverisë shqiptarë, dëmshpërblim pronarëve

Qeveria  e Edi Ramës detyrohet të zbatojë vendimet e Gjykatës së Strasburgut, duke dëmshpërblyer pronarët e ligjshëm me mbi 22 milionë euro, shumë e cila mund të ishte shumë herë më e vogël nëse qeveria do të pranonte të zbatonte ligjin. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave u vendos zbatimi i vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, që detyron qeverinë shqiptare t’u japë 22 milionë euro pronarëve që kanë fituar gjyqet kundër Shqipërisë. Janë 4 çështje të fituara në Gjykatën e Strasburgut; çështja “Aliçka”, “Karagjozi”, “Rista”, “Halimi” dhe “Sharra”. Shumën më të madhe e zë çështja “Rista”, që duhet të marrë nga qeveria shqiptare plot 10.7 milionë euro. 21 ankimuesve të çështjes “Karagjozi”, do t’u paguhet shuma 5.9 milionë euro, kurse çështja “Aliçka” me 5.1 milionë euro. Në një reagim për mediat, Partia Republikane i kërkoi dje qeverisë të tërheqë menjëherë mbrapsht ligjin që ka miratuar për pronat, ligj i cili synon grabitjen e pronave të pronarëve legitimë. “Qindra vendime të tjera presin për t’u zbatuar dhe të tjera do të ankimohen me qindra milion euro kosto për shkak të ligjit të padrejtë të hartuar nga kjo qeveri. Këto janë para që dalin nga xhepat e varfër të shqiptarëve që paguajnë gabimet e njëpasnjëshme dhe korruptive të qeverisë të Edi Ramës.  Partia Republikane i bën thirrje qeverisë, që nisur nga këto vendime të kthejë mbrapsht ligjin e grabitjes përfundimtare të  pronave që ka miratuar dhe të miratojë një ligj që i jep të drejtën pronarëve siç përcaktohet në vendimet e Gjykatës së Strasburgut dhe në Deklaratën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Shteti nuk mund të sillet si pronar me jetën dhe pronat e qytetarëve, por duhet të jetë garant i të drejtave që ata gëzojnë”, thuhet në reagimin e Partisë Republikane.

Vendimi i Gjykatës në qershor të 2016

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg rrëzoi në qershor të 2016 qeverinë shqiptare dhe metodologjinë e saj për kompensimin e pronave në ligjin e ri të kthimit dhe kompensimit të pronave, duke kërkuar kompensimin me çmimet e tregut të pronave të Shqipëri. Rama ka kërkuar nga Strasburgu që të pezullojë gjykimet e ankimeve të pronarëve shqiptarë dhe në të njëjtën kohë të pranojë ligjin e ri për pronat, i cili legjitimon një grabitje të re të pronave të pronarëve. Kjo kërkesë e qeverisë Rama nuk është pranuar nga Strasburgu, i cili e ka hedhur atë plotësisht poshtë, duke dhënë drejtësi mbi ligjet e së drejtës ndërkombëtare për pronat. Në një vendim të zbardhur tashmë në Fletoren Zyrtare, Gjykata e Strasburgut ka rrëzuar metodologjinë e kompensimit të pronave për pronarët në rastet kur pronat e tyre janë truall dhe që në ligjin e ri që u miratua nga Kuvendi në shkurt të këtij viti, qeveria përcaktoi që kompensimi i tyre të bëhej si tokë bujqësore. Ligji i ri parashikon kompensimin e tokës për zërin kadastral të vitit 1945, pavarësisht statusit që gëzon aktualisht, shkak për të cilin 30% e sipërfaqeve që sot janë troje, do të kompensohen për toka bujqësore. Por për Gjykatën e Strasburgut një gjë e tillë është e papranueshme, duke theksuar se kompensimi do të bëhet mbi bazën e Ligjit të 2008-ës që parashikon kompensimin real me çmimin e tregut. Vendimi, versioni final i kësaj gjykate u bë publik më 26 prill të vitit 2016, ndërsa vendimi është marrë më 7 prill të po këtij viti. Ndërsa ligji i ri i pronave është miratuar nga Parlamenti shqiptar në maj të vitit 2015.

Vlerësimi i Gjykatës

Bëhet fjalë për një çështje që është shqyrtuar më 15 mars dhe të korrigjuar më pas më 26 prill të këtij viti nga Gjykata e Strasburgut gjatë shqyrtimit me dyer të mbyllura të çështjes “Karagjozi dhe të tjerët kundër Shqipërisë”, në të cilën përfaqësohen 21 pronarë. Ankuesit kërkuan 7,054,285 euro për vlerën e pronës së sipërfaqes së tokës me përmasë 640,000 m2, bazuar në hartat e vlerësimit të vitit 2013. Ata kërkuan të aplikohej çmimi i referencës prej 1,646 lekësh shqiptarë (të gjithë)/m2, siç tregohet në hartat e vlerësimit të vitit 2013. Ata parashtruan se zotëronin pesëmbëdhjetë të gjashtëmbëdhjetat e tokës me përmasë 640,000 m2. Ata kërkuan 315,000 euro për dëmin jo monetar. Qeveria bëri të njëjtat parashtrime si ato të përmbledhura në vendimin e kësaj gjykate në çështjen Sharra dhe të tjerët. Duke pasur parasysh faktin se, në kohën e konfiskimit, sipërfaqja e tokës kishte qenë bujqësore, qeveria propozoi se bazuar në hartat e vlerësimit të vitit 2014, duhej zbatuar çmimi i referencës për tokën bujqësore. Duke qenë se zona kadastrale ku pozicionohej prona nuk pasqyronte ndonjë çmim reference për tokën bujqësore, duhet të zbatohet çmimi i referencës për tokën bujqësore për një zonë tjetër kadastrale më të afërt, që është 281 të gjithë/m2.
Qeveria konfirmoi se ankuesit kishin të drejtë mbi pesëmbëdhjetë të gjashtëmbëdhjetat e pronës. Gjykata shqyrtoi të njëjtat parashtrime të bëra nga palët në vendimin e saj në çështjen Sharra dhe të tjerët. Gjykata arriti në përfundimin se dëmi monetar duhet të përcaktohet bazuar në hartat e vlerësimit të pronës të vitit 2008 (sipas vendimeve të ngjashme: Sharra dhe të tjerët; Manushaqe Puto dhe të tjerët; dhe Vrioni dhe të tjerët kundër Shqipërisë (kompensim i drejtë), nr. 35720/04 dhe 42832/06, §§33–39, 7 dhjetor 2010). Gjykata nuk gjen asnjë arsye për t’u distancuar nga këto gjetje. Gjykata vëren se autoritetet njohën të drejtën e ankuesve për kompensim në lidhje me tokën e ndërtimit dhe jo për tokën bujqësore, siç u kundërshtua nga qeveria. Në lidhje me materialin në pronësi të saj, Gjykata e shikon të arsyeshme t’u akordojë ankuesve 5,919,000 euro për dëmin monetar dhe jomonetar.

Exit mobile version