Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut deklaroi se qeveria shqiptare ishte përpjekur përmes “qasjeve të papërshtatshme” dhe takimeve zyrtare në vitin 2014 që të siguronte një shtyrje të shqyrtimit për dhjetra çështje të depozituara në Strasburg për kthimin dhe kompensimin e pronave-fatura e të cilave kërcënonte me falimentim financat e shtetit shqiptar.
Një zëdhënës i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut i tha BIRN se të dyja lëvizjet e qeverisë shqiptare u përballën me “refuzimin e plotë” si nga gjyqtari Ledi Bianku, ashtu edhe nga autoritetet më të larta të Gjykatës së Strasburgut, të cilët u takuan asokohe me një delegacion zyrtar shqiptar.
“Në vitin 2014, një zyrtar i afërt me qeverinë (zoti Denar Biba) kontaktoi zotin Ledi Bianku, gjyqtar i Shqipërisë, duke i kërkuar që Gjykata të shtyjë shqyrtimin e çështjeve që lidhen me kthimin e pronave. Gjyqtari Bianku i tregoi këtij personi se një qasje e tillë ishte e papërshtatshme dhe informoi menjëherë Presidentin në atë kohë të Gjykatës, Dean Spealmann,” tha zëdhënësi i Gjykatës së Strasburgut në një përgjigje me shkrim ndaj pyetjeve të BIRN.
Ai shtoi se për rastin në fjalë ishte njoftuar edhe presidenti aktual i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Guido Raimondi, sapo ky i fundit kishte marrë detyrën.
Përmes këtij reagimi, Gjykata e Strasburgut konfirmon takimin mes Denar Bibës, asokohe kryetar i Komisionit të Prokurimit Publik dhe sot nënkryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe gjyqtarit Ledi Bianku dhe i referohet atij si “qasje e papërshtatshme”.
Një audiopërgjim i pjesshëm i bisedës ku dëgjohet vetëm Biba u publikua të martën nga Exit.al, ku ky i fundit dëgjohet t’i përcjellë gjyqtarit Bianku një mesazh nga sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi që “t’u gjendet në këtë histori [shtyrjen e çështjeve]”. Në audiopërgjim, Biba dëgjohet gjithashtu të thotë: “A të ndalon më ky tren në stacion? Të ngelesh pa punë dhe ç’të vajti sakrifica! Njeriu bën kompromise në jetë”.
Publikimi i audios u pasua nga deklarata të ashpra të partive opozitare, PD dhe LSI, të cilat e akuzuan kryeministrin Edi Rama se kishte ushtruar shantazh ndaj një gjyqtari të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe se kishte tentuar të ndikonte mbi një vendim të kësaj gjykate. Përmes një reagimi të kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, mazhoranca e zhvlerësoi episodin si një “takim mes miqsh” dhe e krahasoi denoncimin me çështjen e “Babales”.
Edhe protagonisti i audios, Denar Biba e prezanton ngjarjen si një takim me njërin prej miqve të tij më të mirë, ndërsa refuzon në mënyrë kategorike që të ketë ushtruar shantazh ndaj Biankut apo që t’i jetë bërë e ditur prej këtij të fundit se “ishte një kontakt i papërshtatshëm”.
Ai këmbëngul se biseda është spërdredhur në mënyrë malinje dhe se qëllimi i tij i vetëm ishte të merrte këshilla nga ish-pedagogu i tij për zgjidhjen më të mirë të çështjes-e cila ishte zyrtare dhe aspak e fshehtë.
“Në Strasburg kam takuar Ledi Biankun, është një nga miqtë e mi më të mirë, e kam pasur si guru në jetë. I kam treguar qëllimin e vizitës, i kam thënë që jemi këtu për të kërkuar shtyrjen,”tha Biba në një bisedë telefonike për BIRN.
Biba i tha BIRN se në Strasburg kishte shkuar si ekspert i të drejtës kushtetuese së bashku me delegacionin që kryesohej nga zv.kryeministri i atëhershëm, Niko Peleshi.
Ai pranoi megjithatë se nuk kishte qenë i pranishëm në takimin zyrtar që delegacioni zhvilloi në të njëjtën ditë me presidentin e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, Dean Spealmann.
I pyetur nëse takimin me gjyqtarin Bianku po bëhej me porosi të sekretarit të Përgjithshëm të kryeministrit Rama, Ëngjëll Agaçi, Biba u përgjigj se nuk e kujton kontekstin e përmendjes së Agaçit, ndërsa shton se “sekretari i Përgjithshëm më ka thënë që për shkak të ekspertizës duhet të jesh pjesë e ekipit”. Ai e quan gjithashtu spekulim atë pjesë të bisedës që flet për “trenin” apo “kompromiset në jetë”.
“Metafora e trenit është për mua. Shoku im, Ledi Bianku me pyeti, pasi kishte pritshmëri për studentin e tij, më thotë po t’i pse vajte te Komisioni i Prokurimit Publik. Dhe i tregova historinë. Nuk është qejf të mbetesh pa punë. I thashë që më tha një miku im një herë të vjen treni në stacion,” shtoi Biba.
“Si mund të shantazhohet një gjyqtar i Strasburgut,” pyet më tej ai. “Për shkak të rrethanave që i krijon gjykata, ai është i pashantazhueshëm. I bëhet shantazh një njeriu të shantazhueshëm (jo atij). Është naive fare,” shtoi më tej Biba, duke kërkuar publikimin e plotë të bisedës.
Gjyqtari i Shqipërisë në Strasburg, Ledio Bianku refuzoi të bënte komente mbi ngjarjen. Edhe zyra e shtypit e kryeministrit Edi Rama nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN.
Refuzimi i Strasburgut
Takimi mes Denar Bibës dhe Ledio Biankut u zhvillua në kohën kur qeveria e kryesuar nga Rama tentoi të merrte një shtyrje të dytë të shqyrtimit të çështjeve të pronave të aplikantëve shqiptarë në Gjykatën e Strasburgut. Kjo perspektivë ishte hapur me çështjen pilot “Manushaqe Puto v.Albania” në korrik të vitit 2012, ku Gjykata kishte vendosur të shtynte për një periudhë kohore çështjet e ngjashme, duke i lënë si detyrë qeverisë shqiptare përmirësimin e masave për kthimin e pronës në nivel kombëtar.
Ndërkohë që qeveria shqiptare dështoi të prezantonte një plan për zgjidhjen e çështjes së pronës deri në përfundim të afatit 18 mujor, kabineti i kryesuar nga Rama synoi të merrte një shtyrje të dytë jo më në sallën e gjyqit, por përmes takimeve të emisarëve politikë me autoritetet drejtuese të Gjykatës së Strasburgut.
Një kërkesë e tillë, sipas zëdhënësit të Gjykatës u përball me “refuzim të plotë” gjatë takimit zyrtar mes delegacionit të drejtuar nga Peleshi dhe Presidentit Spealmann në qershor 2014-duke u cilësuar në kundërshtim me rregullat proceduriale.
“Veçanërisht, çdo vendim i tillë është kompetencën e Dhomës përpara së cilës çështjet ishin në pritje dhe nuk mund të merret nga presidenti i Gjykatës. Për më tepër, një kërkesë e tillë mundet të shtyrtohet vetëm në përputhje me rregullat normale proceduriale,” tha zëdhënësi i Gjykatës së Strasburgut.
“Nuk ka pasur pra, dhe as nuk mund të kishte një “marrëveshje” mes Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Shqipërisë në lidhje me shtyrjen e mundshme të çështjeve në fjalë,” shtoi zëdhënësi.
“Marrëveshja me Gjykatën e Strasburgut” u përmend me eufori nga kryeministri Edi Rama në një fjalim në parlament në vitin 2016, kur Dhoma përkatëse e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut vendosi pro shtyrjes së shqyrtimit të çështjeve të pronës-ndërkohë që qeveria shqiptare miratoi një ligj për kompensimin e pronarëve, i cili u kundërshtua nga këta të fundit.
“Megjithatë, kjo shtyrje nuk ka lidhje me ngjarjet e vitit 2014. Gjyqtari Bianku nuk mori pjesë në këtë vendim pasi ai ishte tërhequr nga këto raste,” tha zëdhënësi i Gjykatës së Strasburgut, i cili përforcoi mesazhin se të gjitha vendimet e Gjykatës merren nga formacionet gjyqësore dhe në përputhje me procedurat e përcaktuara në Rregulloren e Gjykatës.
“Reporter.al”