Strategjia e re, SPAK fut në ankth pushtetarët: Çdo dosje do të shoqërohet me hetim pasuror

Prokuroria e Posaçme ka hartuar një strategji të re sa i takon luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Strategjia përmban 7 objektiva që synohet të arrihen deri në vitin 2027. SPAK premton të rrisë forcën e saj goditëse, mbi objektivat që i ka përcaktuar ligji.

Por në këtë strategji bëhet një paralajmërim i fortë për pushtetarët, pasi SPAK njofton se do të rrisë hetimet pasurore. Sipas saj, në çdo rast do të ketë hetim pasuror për të akuzuarit.

Prokuroria e Posaçme synon të shoqërojë çdo hetim penal me hetim financiar dhe pasuror, me qëllim rritjen e numrit të sekuestrimeve dhe konfiskimeve të produkteve të pastrimit të parave”, njofton SPAK.

Prokuroria e Posaçme bën me dije do të zhvillojë më tej kapacitetet teknike dhe njerëzore, duke ngritur kapacitetet analitike dhe nivelin e ekspertizës, e cila do të shtrihet edhe në hetimet digjitale, duke përfshirë trajnimin e specializuar të hetuesve financiarë dhe përdorimin e teknologjisë për analizën e transaksioneve financiare.

Strategjia e re, SPAK fut në ankth pushtetarët: Çdo dosje do

Strategjia e SPAK

Gjithashtu SPAK bën me dije se do të kërkojë rritje të numrit të hetuesve të BKH, duke qenë se një pjesë e madhe kanë rol kyç në përgjime.

Duke qenë se bërthama komanduesë e përgjigjes zë një numër të konsiderueshëm të hetuesve, emërimi i hetuesve të tjerë të BKH-së është një tjetër objektiv i rëndësishëm për t’u përmbushur brenda vitit 2027. Gjithashtu, për të rritur koordinimin me institucionet e tjera në vend, është parashikuar edhe ngritja sa më shpejtë e Seksionit të Shërbimeve të Policisë Gjyqësore, pranë BKH-së”, theksohet në dokument.

Pjesë nga strategjia e SPAK

Synimi 1- Rritja e ndëshkueshmërisë së korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit dhe krimit kibernetik:

Prokuroria e Posaçme synon të jetë një institucion efektiv në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit dhe krimit kibernetik. Këtu përfshihet identifikimi, ndjekja penale dhe ndëshkimi me sukses i subjekteve, të cilët janë në juridiksionin e Prokurorisë së Posaçme.

Objektivi 1- Përmirësimi i kapaciteteve të hetimit penal:

• Duke qenë se bërthama komanduesë e përgjigjes zë një numër të konsiderueshëm të hetuesve, emërimi i hetuesve të tjerë të BKH-së është një tjetër objektiv i rëndësishëm për t’u përmbushur brenda vitit 2027. Gjithashtu, për të rritur koordinimin me institucionet e tjera në vend, është parashikuar edhe ngritja sa më shpejtë e Seksionit të Shërbimeve të Policisë Gjyqësore, pranë BKH-së.

Masat në zbatim të Objektivit 1:

Hapja e procedurës së përzgjedhjes së një numri shtesë të hetuesve të BKH-së. Reflektimi në buxhet i rekrutimit të hetuesve të rinj të BKH-së. Hapja e procedurës së largimit në detyrë të oficerëve nga Shërbimet e Policisë Gjyqësore. Rritja e cilësisë së kushteve të punës pas rikonstruksionit të godinës së re shtesë, për hetuesit financiarë, hetuesit të BKH-së, përditësimi i ambienteve të mankës në pyetje të dëshmitarëve, ruajtjes së të dhënave, etj. Rritja e kapaciteteve njerëzore në hetimin e krimit kibernetik në kuadër të krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Synimi 2- Intensifikimi i hetimit të pastrimit të parave:

• Prokuroria e Posaçme synon të shoqërojë çdo hetim penal me hetim financiar dhe pasuror, me qëllim rritjen e numrit të sekuestrimeve dhe konfiskimeve të produkteve të pastrimit të parave.

Objektivi 2- Forcimi i kapaciteteve për hetimet financiare, pasurore dhe kibernetike:

• Prokuroria e Posaçme do të zhvillojë më tej kapacitetet teknike dhe njerëzore, duke ngritur kapacitetet analitike dhe nivelin e ekspertizës, e cila do të shtrihet edhe në hetimet digjitale, duke përfshirë trajnimin e specializuar të hetuesve financiarë dhe përdorimin e teknologjisë për analizën e transaksioneve financiare.

Masat në zbatim të Objektivit 2:

Do të kryhen trajnime të specializuara të hetuesve financiarë duke iu referuar edhe “Planit të Trajnimit të Punonjësve” sipas kategorive.

Rritja e bashkëpunimit me ekspertë ndërkombëtarë për të ndarë eksperienca në çështje të ngjashme.
Marrja e programeve kompjuterike të specializuara për hetimin financiar dhe atë kibernetik dhe ngritja e kapaciteteve njerëzore në përdorimin e tyre.

Objektivi 2.1- Forcimi i hetimeve kundër financimit të terrorizmit:

• Qasja drejt rritjes së cilësisë së hetimeve kundër financimit të terrorizmit do të orientohet drejt ngritjes së kapaciteteve njerëzore në lidhje me nxitjen e cilësisë së bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese në vend dhe ato ndërkombëtare.

Masat në zbatim të Objektivit 2.1:

Do të kryhen trajnime dhe seminare me karakter përditësues për prokurorët dhe hetuesit e Prokurorisë së Posaçme dhe BKH-së për të identifikuar dhe hetuar format më të sofistikuara të financimit të terrorizmit.

Do të nitet cilësia e shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit mes autoriteteve hetimore dhe financiare në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Do të konsiderohen mundësi të vendosjes së bashkëpunimit me sektorin bankar dhe financiar për të rritur hetimet parandaluese dhe synuar akses më të specializuar në të dhënat financiare të subjekteve nën hetim.

Do të planifikohen zhvillime të analizave të përbashkëta të riskut me agjencitë ligjzbatuese kombëtare mbi praktikat e financimit të terrorizmit.

Objektivi 2.2- Qasja parandaluese në luftën kundër pastrimit të parave:

-Objektiv i rëndësishëm do të jetë edhe qasja parandaluese e hetimit të pastrimit të parave përmes monitorimit të aktiviteteve të ndryshme ekonomike, përfshirë sektorët që janë më të prekur nga pastrimi i parave.

Masat në zbatim të Objektivit 2.2:

Krijimi i partneritetit me institucione financiare private për të përdorur burimet e tyre për hetimin në kohë të indicieve të pastrimit të parave.

Ndërtimi i menaxhimeve të ngushta me institucione financiare ndërkombëtare për shkëmbim të të dhënave financiare.

Rritja e bashkëpunimit efektiv me Agjencinë e Inteligjencës Financiare nëpërmjet pikave të kontaktit dhe analizave më të thelluara të tipologjive të pastrimit të parave nga ky institucion.

Objektivi 2.3:- Nxjerrja e akteve nënligjore

• Përgatitja e akteve nënligjore, të cilat do të udhëzojnë Prokurorinë e Posaçme në unifikimin e standardeve dhe praktikave të hetimit pasuror dhe financiar.

Masat në zbatim të Objektivit 2.3:

Ngritja e një grupi pune të përbërë nga prokurorë dhe hetues financiar për përgatitjen e një udhëzimi të përgjithshëm për hetimin financiar dhe pasuror.

Kërkesa për bashkëpunim me projekte të asistencës ndërkombëtare në përgatitjen e këtij udhëzimi.

Synimi 3: Mbrojtja e integritetit institucional

• Prokuroria e Posaçme synon të mbajë standardet më të larta ligjore të integritetit institucional, duke siguruar që hetimet dhe ndjekja penale të jenë të pavarura, transparente dhe në respektim dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut.

Objektivi -: Sigurimi i standardeve më të larta ligjore të integritetit institucional:

• Pjesëmarrje aktive në ndryshimet ligjore, të cilat prekin statusin e prokurorit të Posaçëm. • Zhvillimi i diskutimeve në mbledhjet e prokurorëve mbi ruajtjen e standardeve më të larta të respektimit të të drejtave të njeriut gjatë hetimit penal, duke garantuar mbrojtjen e jetës private, kujdesin ndaj viktimave, të drejtën për mbrojtje ligjore dhe një proces të drejtë gjyqësor. Përmbushja e këtij objektivi është thelbësore për forcimin e besimit të publikut në punën e Prokurorisë së Posaçme.

Masat në zbatim të Objektivit 3:

Prokuroria e Posaçme do të ofrojë propozime ligjore përkatëse që lidhen me mbrojtjen e statusit të prokurorëve të Posaçëm pas përfundimit të mandatit të tyre.

Prokuroria e Posaçme do të tregohet proaktive në lidhje me mbrojtjen fizike dhe dinjitetin e stafit të kësaj strukture, duke rritur komunikimin dhe bashkëpunimin me autoritetet shtetërore përkatëse.

Prokuroria e Posaçme ka parashikuar sipas ligjit figuren e koordinatorit për mbrojtjen e të dhënave personale, i cili monitoron zbatimin e procedurave ligjore të mbrojtjes së të dhënave. Parashikohet që koordinatori të ndjekë trajnimet përkatëse dhe të përgatisë analiza në lidhje me problematikat e shfaqura dhe të ofrojë zgjidhje për adresimin e tyre.

Prokuroria e Posaçme do të nisë numrin e analizave të brendshme në lidhje me strategjitë e ndjekura për dhënien e masave të sigurimit personal, pavarësisht se ky mjet procedurial është në çmimin e prokurorit të çështjes dhe vlerësimit të gjykatës.

Synimi 4- Forcimi i besimit të publikut tek shteti ligjor:

• Një synim i rëndësishëm i Prokurorisë së Posaçme është rritja e besimit të publikut tek shteti ligjor, nëpërmjet forcimit të ndershkmërisë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit të funksionarëve të lartë publik.

Objektivi 4- Forcimi i transparencës dhe komunikimit me publikun:

• Forcimi i transparencës me publikun është gjithashtu një ndër prioritetet e Prokurorisë së Posaçme.

Masat në zbatim të Objektivit 4:

Prokuroria e Posaçme do të përgatisë një strategji komunikimi me ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë, e cila do të mbështetet në një analizë të eksperiencës 4 vjeçare të komunikimit publik dhe referimin në praktikat më të mira ndërkombëtare.

Prokuroria e Posaçme tashmë ka filluar një praktikë komunikimi “jo zyrtare” (off the record) me gazetarët e kronikës, e cila parashikohet të vijojë në mënyrë më protokollare. Është menduar të përcaktohen disa rregulla më të detajuara për këtë formë komunikimi me median, duke vendosur gjithashtu edhe një kalendar paraprak takimesh.

Prokuroria e Posaçme planifikon të përfshijë gjithashtu, edhe forma të tjera komunikimi, si konferenca për shtyp, intervista, podkaste, seminare dhe ëorkshope me shoqërinë civile, mediat sociale, etj.

Prokuroria e Posaçme do të ngrejë gjithashtu një grup pune për të administruar në mënyrë më efikase adresën zyrtare të komunikimit me publikun për të rritur transparencën dhe lehtësuar në kohë komunikimin me publikun.

Prokuroria e Posaçme ka parashikuar gjithashtu ngritjen e Sektorit për Raportimin në Bashkimin Evropian (BE), i cili do të rrisë cilësinë e raportimit në kuadër të raporteve periodike të shtetit shqiptar në funksion të procesit të integrimit në BE. Ngritja e këtij sektori do të mane përparësi të veçantë duke u shoqëruar me një plan të mirëpërcaktuar në lidhje me ngritjen e kapaciteteve njerëzore.

Synimi 5- Rritja e efikasitetit të Prokurorisë së Posaçme:

• Prokuroria e Posaçme synon të rrisë efektivitetin duke ruajtur një balancë midis cilësisë së hetimit dhe kohës së shpejtë të përfundimit të tij, duke pasur si qëllim që ligji të zbatohet në mënyrë të drejtë, të barabartë dhe në kohë të shpejtë për të gjithë.

Objektivi 5- Shtimi i strukturave mbështetëse:

• Ngritja e kapaciteteve mbështetëse në lidhje me hetimin penal, pasuror dhe financiar, si dhe të ankimit administrativ të procesit të rivlerësimit të magjistratëve, që do të kryhet nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme.

Masat në zbatim të Objektivit 5

Ngritja e këtyre kapaciteteve do të përfshijë ngritjen e një Strukture Ndihmëse Ligjore dhe trajnimin e këshilltarëve ligjorë.

Do të forcohen gjithashtu edhe kapacitetet analizuese, të cilat do t’i shërbejnë, jo vetëm hetimit, por dhe planifikimit dhe përgatitjes së strategjive të institucionit.

Ngritja e një bibliotekë digjitale për përdorim të brendshëm është një tjetër mjet, i cili parashikohet të ngrihet për të ndihmuar prokurorët dhe strukturat e përfshira në hetim dhe analiza juridike të çështjeve.

Objektivi 5.1- Reduktimi i çështjeve të mbartura:

• Për shkak të rëndësisë së këtij objektivi, Prokuroria e Posaçme do të përgatisë një strategji të veçantë për uljen e numrit të çështjeve të mbartura, e cila do të përfshijë një analizë të thelluar të tyre, përcaktimin e një shkallë prioritare sipas rëndësisë së çështjeve, monitorim e progresit të tyre dhe mbështetje me burime njerëzore shtesë.

Masat në zbatim të Objektivit 5.1:

Do të ngrihet një grup pune i përbashkët me përbërje të ekspertëve ndërkombëtarë dhe stafin e specializuar të Prokurorisë së Posaçme për të përgatitur një strategji, e cila do të adresoje këtë çështje për një periudhë afatgjatë.

Objektivi 5.2- Sistemi i administrimit të çështjeve:

• Ngritja e një sistemi të menaxhimit të çështjeve është një objektiv i rëndësishëm, që lidhet jo vetëm me rritjen e efektivitetit, por dhe me rritjen e administrimit më të mirë të burimeve njerëzore. Ky sistem do të mundësojë një monitorim në kohë reale të ecurisë së hetimit të një çështjeje (track record).

Masat në zbatim të Objektivit 5.2:

Prokuroria e Posaçme ka nisur bashkëpunim të ngushtë me projektet ndërkombëtare të asistencës për ngritjen e një sistemi të veçantë të administrimit të çështjeve, që parashikohet të vihet në funksionim brenda periudhës 2025-2026.

Synimi 6- Bashkëpunimi ndërkombëtar:

• Nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar, Prokuroria e Posaçme synon të sigurojë mbështetje, informacion dhe asistencë nga autoritetet ndërkombëtare për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të rëndësishme ndërkombëtare.

Objektivi 6.1-Rritja e bashkëpunimit ndërkombëtar në çështjet e krimeve të organizuara:

• Ky objektiv parashikon forcimin e bashkëpunimit me vendet e BE-së dhe me vendet që janë të prekura nga aktivitetet e grupeve të organizuara kriminale shqiptare.

Masat në zbatim të Objektivit 6.1:

Prokuroria e Posaçme do të ngrejë një grup pune të përbashkët me partnerët ndërkombëtarë për të koordinuar aktivitetet e hetimeve të përbashkëta.

Bashkëpunimi me agjencitë ndërkombëtare të zbatimit të ligjit do të intensifikohet për të siguruar mbështetje në ndjekjen dhe hetimin e grupeve kriminale transnacionale.

Synimi 7- Përmirësimi i standardeve të hetimit të krimeve zgjedhore:

• Synimi i Prokurorisë së Posaçme për periudhën 2024-2027 është të përmirësojë standardet e hetimit të krimeve zgjedhore për të siguruar një proces të drejtë, transparent dhe efektiv.

Objektivi 7

• Qasje parandaluese në hetimin e krimeve zgjedhore për të siguruar një reagim të shpejtë dhe efektiv ndaj krimit zgjedhor, si dhe për të parandaluar cenimin e integritetit të procesit zgjedhor nga ndikimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Masat në zbatim të Objektivit 7:

Përmirësimi i kapaciteteve hetimore të Prokurorisë së Posaçme për të hetuar dhe ndjekur rastet e krimit zgjedhor në një mënyrë të efektshme dhe efikase.

Ndërgjegjësimi dhe edukimi i publikut mbi rëndësinë e bashkëpunimit me Prokurorinë e Posaçme dhe rolin e tyre në parandalimin e krimit zgjedhor.

Rritja e efektivitetit të bashkëpunimit dhe koordinimit me Policinë e Shtetit, autoritetet zgjedhore, shoqërinë civile dhe mediat, për të parandaluar veprat penale në kuadër të zgjedhjeve parlamentare.

Parandalimi i ndikimit të jashtëm dhe manipulimit të procesit zgjedhor, përmes monitorimit në kohë reale dhe ndërhyrjes së shpejtë në rastet e dyshimta.

Artikulli paraprakVIDEO/ Prekje klasi nga Armando Broja, Evertoni publikon golin e sulmuesit shqiptar
Artikulli tjetërSi do t’i ndajë Inteligjenca Artificiale të talentuarit nga të tjerët?